Hasan Bello
Në interes të lexuesve të ndryshëm që më shkruajnë dhe më pyesin, të nxitur nga një emision televiziv lidhur me figurën e Esat Pashë Toptanit; rolin e tij në mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez në vitet 1912–1913 dhe mbi të gjitha për vrasjen e Hasan Riza Pashës, po e bëj publik këtë shkrim.
Ka shumë libra dhe pak studime për Luftën e Shkodrës. Për këtë arsye kam vite që mbledh materiale arkivore dhe literaturë. Por, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, më duhet ende kohë për të përfunduar një studim që kam nisur, duke u mbështetur në burime dokumentare.
Megjithatë, më pranë së vërtetës për këtë ngjarje kanë shkruar këta autorë shqiptarë:
- Tahir Kolgjini, i cili në vitin 1977 botoi në Stamboll librin “Esat Pashë Toptani: tradhtar apo patriot?”, i ribotuar dy herë;
- Ilir Ikonomi;
- dhe dy libra të intelektualit tiranas Xhemal Kusi. Ky i fundit jep edhe emrat e oficerëve shqiptarë që organizuan vrasjen e Hasan Riza Pashës, si një vendim i përbashkët, pasi ai kishte planifikuar tërheqjen.
Kjo u pranua edhe nga dy adjutantët e Hasan Riza Pashës, të cilët njëkohësisht ishin anëtarë të shtabit që drejtonte luftën. Në vitin 1933 ata botuan librin “Mbrojtja e Shkodrës”, të cilin e kam fotokopjuar që në kohën kur isha student në këtë qytet, në bibliotekën universitare. Si kujtim, e ruaj edhe sot. Më pas, libri në fjalë u ribotua në vitin 2007 nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke në Ankara (Abdurrahman Nafiz – Kiramettin, 1912–1913 Balkan Savaşı’nda İşkodra Savunması (I–II vëllime), Ankara, 2007). Pra, konsiderohet një burim serioz nga dëshmitarë të dorës së parë.
Në këtë libër, autorët shpjegojnë se Hasan Riza Pasha kishte marrë këtë vendim për fatin e kështjellës:
“Dhjetë ditë para se të mbaronin rezervat ushqimore, do t’u jepnim ushtarëve tri ditë leje dhe do t’i ushqenim mirë. Ditën e katërt do të largoheshim nga zona mes Taraboshit dhe Bunës drejt Tivarit (Bar), do të marshonim drejt portit austriak të Spicës, që ndodhej 60 kilometra larg Shkodrës. Duke pasur Austrinë në krah, do të vendoseshim në një vijë mbrojtjeje që do ta forconim brenda Malit të Zi, do të rezistonim deri në shterimin e plotë të furnizimeve dhe, nëse do të detyroheshim, do të hynim në territorin austriak.
Detajet e këtij plani u diskutuan me major Abdurrahman Nafiz Beun.
Në Shkodër dhe në frontet e tjera do të liheshin disa batalione rezervë dhe vullnetarë vendas. Njësive do t’u thuhej:
‘Flota osmane do të zbarkojë trupa në Tivar dhe Ulqin; ne do të shkojmë t’i presim dhe do t’u hapim rrugën.’
Kështu do të krijohej një entuziazëm i madh dhe, me këtë vrull, forcat malazeze do të sulmonin në frontin e Taraboshit.
Mendohej se përballë Taraboshit, në male, ndodhej vazhdimisht një brigadë armike dhe, për shkak të përforcimeve të vazhdueshme të armikut në atë front, ai hezitonte të ndërmerrte këtë operacion.
Hasan Riza Pasha, në përgjithësi, e mbante shumë sekret planin e veprimit që kishte menduar.
Në fakt, flota osmane nuk do të zbarkonte realisht në Tivar dhe Ulqin. Kjo ishte një dredhi për të motivuar forcat.”
Dhe çfarë ndodhi? Plani u mësua nga Esat Pasha dhe oficerët shqiptarë, të cilët më kot u përpoqën ta bindnin Hasan Riza Pashën se terreni i Malit të Zi ishte shumë i ashpër dhe nuk do të lejonte tërheqjen e trupave osmane.
Nga ana tjetër, largimi nga Shkodra do ta linte popullsinë në mëshirë të fatit dhe të bajonetave serbo-malazeze. Nuk duhet harruar se më shumë se gjysma e forcave osmane ishin forca vullnetare/rezervë që i kishte mbledhur Esat Pasha. Kush do t’i kishte këto forca pas largimit të ushtrisë osmane?
Për këtë arsye, një grup oficerësh shqiptarë (emrat i jep Xhemal Kusi) vendosën të vrasin Hasan Riza Pashën dhe të vazhdojnë mbrojtjen e Shkodrës, e cila u realizua me dinjitet për gati tre muaj e gjysmë, deri sa Fuqitë e Mëdha vendosën që ta linin atë pjesë të shtetit të ardhshëm shqiptar.
Betejat më të përgjakshme kundër serbo-malazezëve ndodhën pas vrasjes së Hasan Riza Pashës. Shumë shqiptarë ndoshta nuk kanë dëgjuar për Betejën apo “Kasaphanën e Bërdicës”, ku për disa orë u vranë më shumë ushtarë nga të dy palët sesa të gjitha formacionet politike në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
(Më poshtë është faqja e librit në turqisht që kam cituar, ku flitet për planin e tërheqjes së Hasan Riza Pashës.)

















1 thought on “Pse dhe kush e vrau Hasan Riza Pashën?”
Në anarkinë që krijoi lufta ballkanike, Shkodra falë luftës së armatës turke, rezërvistave shqiptarë e popullsisë myslimane të Shkodrës të udhëhequr nga dy pashallarë (gjeneral) njëri turk e tjetri shqiptare ky qytet i shenjtë për shqiptarët i mbeti Shqipërisë. Nuk pati fatin e shumë qytetëve që shqiptarët e kishin të tyre, të cilët u morën nga serbët e grekët. Duhet tu jemi falenderues e ti kujtojmë me respekt që e meritojnë!