Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2021–2025, Qeveria ka investuar gjithsej 4.73 milionë euro në trashëgiminë kulturore islame në vend.
Sipas njoftimit, aktualisht janë në proces restaurimi disa objekte të rëndësishme të trashëgimisë fetare islame. Në Ferizaj po vazhdojnë punimet në Xhaminë Mulla Vesel Guta, për të cilën janë ndarë 1.5 milionë euro. Ndërkaq, në Prishtinë po restaurohet Xhamia Sudi Efendi me investim prej 600 mijë eurosh.
Po ashtu, punime restaurimi janë duke u zhvilluar edhe në Xhaminë e Çokut në Junik, me vlerë 500 mijë euro, si dhe në Xhaminë e Burojës në Skenderaj, për të cilën janë ndarë 400 mijë euro.
Kryeministri Kurti ka njoftuar se së shpejti do të nisin punimet edhe në Xhaminë e Orllanit në Podujevë dhe në Xhaminë e Bajraklisë në Prizren.
Ai theksoi se ruajtja dhe restaurimi i trashëgimisë kulturore fetare, pa dallim dhe në të gjithë territorin e vendit, mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës./gazetaimpakt



















