Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të skaduara.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bëri të ditur se rreth 500 mijë shtetas shqiptarë kanë pasaporta ose karta ID të skaduara. Me këtë vendim, ata do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Sot këshilli i ministrave vendosi për zgjatjen e afatit për vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit, që do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar, janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë që u ka përfunduar vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit.
Në këtë mënyrë, me miratimin e këtij akti, do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për të ushtruar të drejtën e votës si e drejtë kushtetuese”, tha Hoxha./gazetaimpakt