Rama “blindon” Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Veliajt: Propagandë në vend të llogaridhënies

Edi Rama ka zbritur në Bashkinë e Tiranës, jo për të dhënë llogari për skandalin që çoi në arrestimin e Erion Veliajt, por për të forcuar kontrollin mbi institucionin. Në një spektakël tipik propagandistik, ai mblodhi në sheshin Skënderbej rreth 6 mijë punonjës bashkiakë, duke i shndërruar në një turmë duartrokitësish në vend që t’i linte të bënin detyrën e tyre për qytetarët.

Ky është një skenar i njohur: sa herë që pushteti i tij tronditet, Rama i drejtohet spektaklit dhe manipulimit për të ruajtur imazhin e tij. Në vend të shpjegimeve për korrupsionin dhe abuzimet që kanë çuar në këtë situatë, ai zgjedh të shfaqë një dokumentar për “transformimin” e Tiranës, sikur realiteti i përditshëm i qytetarëve të mos ekzistojë.

Arrestimi i Veliajt ka nxjerrë në pah të vërtetën e një sistemi që funksionon mbi arrogancën dhe abuzimin me pushtetin. Por në vend që të lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe të mbajë distancë nga skandali, Rama zgjedh të “rikthehet” në Bashki si shpëtimtari i radhës, duke e trajtuar institucionin si një degë të partisë së tij.

Ndërkohë, qytetarët përballen me një Tiranë që mbytet nga betoni, trafiku dhe mungesa e shërbimeve bazë. Propaganda e Ramës mund të mashtrojë administratën e tij të nënshtruar, por nuk e ndryshon dot realitetin që shqiptarët shohin çdo ditë./gazetaimpakt