Edi Rama, në reagimin e tij të parë në rrjetin social Facebook pas arrestimit të Erion Veliajt, ka zgjedhur të luajë kartën e viktimizimit, duke e paraqitur atë si një “të marrë peng” nga drejtësia. Me tone dramatike, ai deklaron se Veliaj është “mbyllur në qeli pa gjyq”, sikur të mos e dinte që askush nuk burgoset pa vendim të një gjykate.
Kjo sjellje e Ramës nuk është as surprizë dhe as e re. Sa herë që drejtësia prek dikë nga oborri i tij politik, ai bën rolin e të indinjuarit, por kur goditen kundërshtarët, hesht ose e quan drejtësinë të pavarur. Pyetja që lind është e thjeshtë: Po sikur të ishte një ish-ministër i PD-së në vend të Veliajt? A do të fliste Rama për “mungesë gjyqi” apo do të brohoriste për suksesin e reformës në drejtësi?
Në vend që të shqetësohet për “kokën e qytetit”, Rama duhet të shpjegojë se si është e mundur që Veliaj, njeriu që ai e mbajti për vite si “shembull suksesi”, përfundoi pas hekurave. Kjo nuk është thjesht një çështje personale, por pasojë e sistemit të kalbur që ai vetë ka ndërtuar./gazetaimpakt