Raporti i DASH për Shqipërinë/ Tabaku: Promovohen monopolet dhe oligarkia, nuk sjell ndryshim një qeveri që ka çuar vendin në këtë derexhe

Kryetarja e Komisionit te Integrimit, Jorida Tabaku ka komentuar raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, i cili renditi korrupsionin si një ndër problematikat kryesoreqë ndikon në klimën e investimeve në vendin tonë.

Deputetja demokrate u shpreh se klima dhe mikpritja e biznesit janë ende të vështira për shkak të problematikave të pazgjidhura për më shumë se një dekadë, teksa renditi 5 fakte, ku mes të cilave shkroi se “sipërmarrjet në vend hasin në një sistem të korruptuar që promovon monopole dhe oligarki”.

Tabaku theksoi se “nuk mund të sjellë ndryshim një qeveri dhe mazhorancë që ka sjellin vendin në këtë derexhe. Prej dhjetë vitesh vazhdojnë të trajtojnë korrupsionin si një sajesë e opozitës”.

Reagimi i plotë

Skaneri i investimeve dhe investitorëve sot bëhet nga raporti i DASH përtej çdo propagande qeveritare. Raporti është një realitet që e përjetojnë në terren bizneset e investitorët e huaj.

Shqipëria ka përjetuar një rritje të numrit të investitorëve nga SHBA, por raporti i Departamentit të Shtetit vërteton se klima e biznesit dhe mikpritja e biznesit janë ende të vështira për shkak të problematikave të pazgjidhura për më shumë se një dekadë.

Fakt: Sipërmarrjet në vend hasin në një sistem të korruptuar që promovon monopole dhe oligarki, duke bërë këtë vend pak tërheqës për investitorët e huaj.

Fakt: Ligji Investimeve Strategjike favorizon vetëm një grup të vogël biznesesh lokale dhe jo investitorët e huaj.

Fakt: Skema e PPP-ve (Partneriteti Publiko-Privat) është ideuar për të shfrytëzuar buxhetin e shtetit për të përfituar të korruptuarit në qeveri dhe ortakët e tyre, dhe jo për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Fakt: Politikat fiskale nuk ndihmojnë sipërmarrjen dhe bizneset, por përkundrazi lehtësojnë monopolet dhe oligarkët, duke ngarkuar me tatime dhe taksa 95% të bizneseve dhe shqiptarëve.

Fakt: Korrupsioni është një problem shqetësues, veçanërisht në prokurimet publike, dhe kjo situatë është vërtetuar nga raporti i Departamentit të Shtetit. Skemat e amnistisë fiskale përshkruhen si përfitime të paligjshme për të korruptuarit, duke ndikuar negativisht në qytetarët dhe sipërmarrjet e ndershme.

Shqipëria ka nevojë për një qeveri që të sigurojë siguri dhe politika fiskale pro biznes për të tërhequr investitorët e huaj. Sipërmarrësit strategjikë duhet të kenë mundësi të përfitojnë nga ekonomia e tregut dhe konkurrenca. Kjo do të ndihmonte në zhvillimin e vendit dhe në shfrytëzimin e mundësive ekonomike për të gjithë qytetarët dhe sipërmarrjet.

Nuk mund të sjellë ndryshim një qeveri dhe mazhorancë që ka sjellin vendin në këtë derexhe. Prej dhjetë vitesh vazhdojnë të trajtojnë korrupsionin si një sajesë e opozitës, kur faktet flasin qartë dhe pastër për aferat që kanë përfshirë qeverinë.

Nuk mund të sjellë ndryshim një qeveri që refuzon propozimin e dërguar në Parlament nga Grupi Parlamentar i PD për të shpallur Luftën Kundër Korrupsionit si prioritet kombëtar dhe që refuzon të miratojë ligjet e propozuara nga ky grup kundër korrupsionit./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne