Rebelët Huthi të Jemenit: Kemi sulmuar një anije amerikane në Detin e Kuq

Rebelët jemenas Huthi njoftuan të mërkurën se kanë sulmuar një anije amerikane që ofronte mbështetje për Izraelin në Detin e Kuq. “Gjatë sulmit u përfshinë një numër i madh raketash balistike dhe detare si dhe dronë”, thuhet në deklaratën e grupit Huthi. Grupi jemenas tha se sulmi “ishte një përgjigje fillestare ndaj sulmit të muajit të kaluar të SHBA-së mbi forcat e saj në Detin e Kuq”.

Muajin e kaluar, rebelët Huthi thanë se 10 pjesëtarë të saj u vranë në sulmin e SHBA-së ndaj tre anijeve rebele në Detin e Kuq. “Ne nuk do të hezitojmë të reagojmë në mënyrën e duhur ndaj të gjitha kërcënimeve armiqësore si pjesë e së drejtës për të mbrojtur vendin, popullin dhe kombin tonë”, tha grupi Huthi.

Rebelët Huthi të Jemenit kanë shtuar ndjeshëm përfshirjen e tyre në konfliktin në Rripin e Gazës duke shënjestruar anijet në Detin e Kuq. Grupi ka paralajmëruar se do të sulmojë të gjitha anijet që kanë për destinacion Izraelin, duke shtuar se sulmet janë për të mbështetur palestinezët ndërsa ata përballen me “agresionin dhe rrethimin” e Izraelit në Gaza. Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.

Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi formimin e një misioni shumëkombësh, operacioni “Prosperity Guardian”, për t’u mbrojtur nga sulmet e Huthive ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne