Rrëfimi i pazakontë i ish-drejtuesit të Sigurimit: Agjentja “Pena e Artë” dhe roli i Ramiz Alisë në arratisjen e Kadaresë

Nga Kastriot Kotoni

Tek lexon librin “PLURALIZMI DHE SIGURIMI I SHTETIT” të kujtohen me qindra libra për historinë e spiunazhit në botë, ndaj shikon të ngjashmet dhe të përbashkëtat, sakrificat dhe sukseset e dështimet e shërbimeve të fshehta, jetën e njerëzve që kanë veshur gunën e spiunit, përshtypjen dhe opinionin e publikut për sigurinë kombëtare, përplasjen me udhëheqësit që vendosin të reagojnë si burra shteti e ca të tjerë që zhyten në mjegullën e vetvetes në dyshime e paranoja patologjike.

Autori (tashmë i ndjerë) Bujar. Sh. Hoxha ka pikëpamjen e tij profesionale dhe patriotike, duke mbajtur një qëndrim kritik në kohën kur punoi në kundërzbulim. Ai në shumë aspekte ka gjetur hapësirë për shumë tema që do t’i interesonin një mase të gjerë lexuesish, por edhe duke ruajtur klasin e lartë etik dhe shumë demokratik pa baltosur askënd.

“…Ramiz Alia nisi takimet me intelektualët dhe gazetarët, në përgjithësi me ata që në mendjen e tij ishin gati ta dëgjonin dhe t’i shpinin direktivat e tij një auditori më të gjerë. Ai besonte vetëm veten, Sigurimin e Shtetit jo e jo, për të ishin “ipso facto” të keqinformuar dhe natyrisht jo objektiv…”

Këtë paragraf autori i librit, Bujar Sh. Hoxha, e përshkruan për të treguar se besimi i Ramiz Alisë ndaj SSH-it është lëkundur. Ai ishte i prirur për ta fajësuar SSH-it. Priste rastin të dilnin në pah gabimet.

“Doli emri i Ismail Kadaresë. Njëri nga pjesëtarët e grupit “Intelektuali” kishte përfshirë lidhje të vlerësuara me interes agjenturor. Hetimi operativ po ecte normalisht, por bubullimat e Ramiz Alisë këtu u kthyen në rrebesh.

U poshtërua kundërzbuluesi Hodo Hodaj, edhe pse mendimi ynë dhe i zëvendësministrit ishte se ai ishte i pastër, por kjo nuk mjaftoi”.

Bujar Sh. Hoxha thekson, se shefat qendrorë përfshirë edhe ministrin Hekuran Isai, nuk e dëgjuan të vërtetën, por sipas tyre “ata ishin fajtorë se kishin cenuar figurën e Kadaresë”.

“Kur u mësua, se ai do të arratisej në Francë, informacioni iu raportua Ramiz Alisë. Por si në shumë raste të tjera, ai e vuri në dyshim besueshmërinë informative të kundërzbulimit dhe kërkoi “të ndëshkoheshin fajtorët”, pa thënë për çfarë duheshin ndëshkuar.

Largimi i Hodajt nga kundërzbulimi la përshtypjen më të keqe. Ne dinim të vërtetën, por me heshtjen tonë, sikur i kishim dhënë atij një goditje të pamerituar. Në ikje ai do të shprehej me dhimbje, se karrierën e tij e shkatërruan zullumqarët”.

Në kasafortën metalike të lyer me ngjyrë gri do të arkivohej dosja e H.Hodaj me stampën “I.K”. Ramiz Alia nuk donte të dinte të vërtetën, shtyu Hekuran Isain të shkarkonte zemërimin e tij ndaj një personi të pafajshëm. Hekuran Isai nuk nxori as edhe një fjalë.

E vërteta është se informacionet e kundërzbulimit për I. Kadarenë ishin të sakta. “Pena e Artë” raportoi një bisedë intime me një njeri tepër të afërt të I. Kadaresë, që përcillte sigurinë se ai do arratisej në Francë dhe se ditët e tij në Tiranë numëroheshin me gishta.

Materiali iu dërgua menjëherë ministrit të Brendshëm me siglën “Tepër Sekret” në pritje të një udhëzimi. Ministri e kish vënë në dijeni Ramiz Alinë, por nuk pati asnjë reagim. Siç u mësua më pas, udhëheqësi nuk e kishte parë të arsyeshme të vinte siglën e tij, madje e neglizhoi hapur informacionin pa dhënë asnjë shpjegim.

Më pas, – shkruan autori, – vjen lajmi në orët e vona të mbrëmjes se Kadare ishte arratisur dhe kishte kërkuar azil politik në Francë.

Kur Ramiz Alia u njoftua për këtë, ai ishte mpirë i tëri dhe kish tundur kokën duke mos pranuar ta besonte atë që kishte dëgjuar. Ne “të lajthiturit” sigurisht që nuk u ndjemë të çuditur.

Kadare shfaqi talent të rrallë për të bërë një jetë të sigurtë dhe të shumëfishtë, bazuar te mbajtja e lidhjeve me politikanët e lartë të shtetit komunist. Ai takohej personalisht me ta, përfshirë vetë Enver Hoxhën. Duke ditur raportet e SSH-it për të, Enver Hoxha do shkruante me dorën e tij “lëreni djalin të punojë”.

Interesant në librin e Bujar Sh.Hoxhës është portreti i “Penës së Artë” që raportoi planin e arratisjes së Kadaresë, kur ai ishte ende në Tiranë. Autori shprehet:

“Ajo zotëronte cilësitë më të mira për një agjente. Artiste, me bukuri imponuese, ndaj të cilës tërhiqeshin të gjithë ata që e rrethonin deri tek artistët dhe shkrimtarët plakaruq. Femër me intelekt të spikatur, i përshtateshin marrëzitë dhe humori dhe kjo e bënte të përshtatshme si agjente të fshehtë.

“Pena e Artë” përmbushi shumë misione me vlerë dhe tepër delikate, përfshirë shpërndarjen e opinioneve dhe komenteve në radhët e intelektualëve të fushave të ndryshme. Femër dinjitoze, shumë e aftë në zotërimin e gjuhëve të huaja, fliste anglisht, italisht, greqisht, jo dhe aq keq rusisht. Artistja origjinale mbetet agjentja më e spikatur e SSH-it, e cila ia kushtoi jetën e saj vetëm idesë personale – mbrojtjes së familjes me çdo çmim, burrit dhe fëmijëve”./gazetadita

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne