Rritet në 52 numri i palestinezëve të vrarë nga të shtënat izraelite në Bregun Perëndimor

Gjithsej 52 palestinezë janë vrarë nga zjarri i hapur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga e shtuna e kaluar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Viktima e fundit ishte një palestinez i vrarë nga të shtënat e ushtarëve izraelitë në qytetin e Jerikos në Bregun Perëndimor, njoftoi Ministria.

Mahmud Shahade, 27 vjeç, u dërgua në Spitalin Shtetëror të Jerikos pasi u qëllua në kokë, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin atë, tha Ministria.

Rasti e çon numrin e palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori në 52.

Ndërkohë, kishte tensione mes ushtarëve izraelitë dhe dhjetëra të rinjve palestinezë në kampin e refugjatëve Uqbat Jaber pranë Jerikos, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu.

Ushtarët izraelitë ndërhynë me gaz lotsjellës dhe më pas me municion të vërtetë, duke çuar në vrasjen e Shahades.

Forcat izraelite kryen gjithashtu bastisje në kampet lokale të refugjatëve dhe bënë kontrolle shtëpi më shtëpi.

Një javë më parë, forcat izraelite nisën një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës në përgjigje të një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigjja e Izraelite është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.

Më shumë se 3.300 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit, duke përfshirë 1.900 palestinezë dhe 1.400 izraelitë./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne