Rusia thotë se Perëndimi po e shtyn Lindjen e Mesme në prag të një “lufte të madhe”

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se Perëndimi po e shtyn rajonin e Lindjes së Mesme në prag të një “lufte të madhe”, që çon në një rritje të terrorizmit dhe fluks të refugjatëve.

“Tani ne shohim se si anglosaksonët tekstualisht po e shtyjnë Lindjen e Mesme në prag të një lufte të madhe”, tha kryediplomati rus Lavrov në një panel diskutimi gjatë Ekspozitës dhe Forumit Ndërkombëtar të Rusisë në Moskë. Lavrov vazhdoi të argumentojë se kjo qasje e përdorur nga Perëndimi është “plotësisht e manifestuar” në Ukrainë, Irak, Libi dhe Siri.

“Rezultatet e tjera të një politike të tillë janë një rritje e terrorizmit dhe ekstremizmit, fate të prishura njerëzore, familje të shkatërruara, flukse të miliona refugjatëve”, shtoi ai. Lavrov tha se Perëndimi është mësuar të “zgjidhë problemet e veta në kurriz të të tjerëve, të shfrytëzojë burimet e njerëzve të tjerë”.

Ai theksoi se NATO-ja është një “relikt i së kaluarës”, duke shtuar se aleanca po “shpërhap tentakulat e saj” në gjithë botën, gjë që mund ta çojë atë në “mbisforcim” të vetvetes. “Nuk mund të imponosh me kaq paturpësi dhe këmbëngulje hegjemoninë tënde mbi të gjithë, kohët nuk janë të njëjta”, tha ai./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne