Ndërsa duhej të jepte llogari për masakrën e Gërdecit në këtë 17-vjetor, Sali Berisha zgjodhi këtë ditë të thërriste një protestë për mbylljen e TikTok. Por, ky ‘tubim’ ishte një dështim madhështor që nuk zgjati as 1 orë, siç u dëshmua edhe nga pamjet me dron që solli Report Tv një pjesëmarrje minimale.
Njoftimin e bëri javë më parë kur kundër synimit prindëror u kërkoi nxënësve të braktisnin mësimin për të mbrojtur aplikacionin që i dëmton më shumë. E ndërsa fëmijët e shkollave e injoruan, Berisha dështoi këtë të shtunë edhe me protestën. Si kurrë më parë pjesëmarrja në protestë ishte më e ulëta.
Pamjet tregojnë një panoramë krejt të kundërt me atë çka ndodhte në Beograd në të njëjtën orë me protestën e studentëve atje me mijëra qytetarë.
Berisha vetë e quajti si protestën më madhështore duke e krahasuar me atë studentore të dhjetorit ’90 që rrëzoi regjimin, duke u përpjekur të mashtrojë shqiptarët dhe duke u bërë qesharak.
“Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve te rinj kundër censurës për lirinë e fjalës dhe mendimit. Rama sot mori ndëshkimin përfundimtar. U damkos si armik i egër i TikTok i rinisë shqiptare, u damkos si biri i të atit”, tha Berisha.
Një incident tjetër që indinjoi muslimanët ishte mënyra sesi donin të hiqnin nga skena një person i cili përmendi Allahun dhe po fliste sipas bindjes së tij duke dhënë mendimin e tij për atë që ai mendonte se kishte marrë pjesë në protestë. Pavarësisht që dikush u afrua ta largonte duke e tërhequr nga krahu, nuk ia doli dot pasi qytetari vazhdoi bisedën.
Përvec faktit se protesta u mbajt në kohë Ramazani dhe muslimanët që përgjithësisht e kanë mbështetur PD nuk ishin prezent, përvec faktit tjetër që në listat e PD nuk ka muslimanë dhe kryesojne evangjelistë e katolikë, ky incident i sotëm është tregues që tashmë PD e Berishës nuk i ka bërë dalje komunitetit më të madh të votuesve në vend.
Një gafë edhe më e rëndë, në këtë moment, kur i premtoi një fëmije rreth 7-8 vjeç, live në televizion, se do ta rihapë TikTok ndonëse përdorimi i aplikacionit është I ndaluar për të miturit nën 13 vjeç.
Berisha: Hajde, hajde, bravo që ke ardhur.
Djali i mitur: O Sali, o hero.
Berisha: Gjyshi do ta hapë TikTok-un menjëherë, më datë 12 maj do kesh TikTok.
Djali i mitur: Jam nga Tropoja unë.
Me një podium minimalist dhe në sfond muzikor këngën e fushatës së Bashës, në skenë u ngjitën disa të rinj të angazhuar në FRPD, ndërsa munguan personazhe të njohur të TikTok. Kryetari i tyre Besart Xhaferri e pranoi publikisht se mbyllja e TikTok nuk është shqetësim për të rinjtë por hall i vërtetë elektoral i PD.
“Mbyllja e TikTok nuk ka për të ndihmuar asgjë te rinia. Do të ndihmojë vetëm Ramën. Nuk do të jetë për sigurinë e shkollave por vetëm për sigurinë elektorale të Ramës. Nëse vazhdojmë me idenë se protesta nuk arrin kurrë sukses, i bie të mos bëjmë kurrë protesta”, tha Xhaferri.
Me këtë ritëm, protesta nuk arriti të zgjaste aq sa ç’ishte parashikuar, dhe ndonëse leja ishte marrë për 2 orë u mbyll në më pak se 60 minuta.