Sekretari Amerikan i Shtetit takohet me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua me Princin e Kurorës dhe kryeministrin saudit, Mohammed bin Salman, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se në takimin e mbajtur në Jeddah, sekretari Blinken shprehu vlerësimin për lidershipin e Arabisë Saudite për organizimin e takimit ministror të koalicionit kundër DEASH-it dhe theksoi përpjekjet e përbashkëta për të luftuar terrorizmin.

“Të dy palët konfirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për të avancuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, duke përfshirë një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike për të arritur paqen, prosperitetin dhe sigurinë në Jemen”, tha Miller, duke shtuar:

“Sekretari theksoi gjithashtu se marrëdhëniet tona dypalëshe forcohen nga përparimi në të drejtat e njeriut”.

Të dy liderët diskutuan gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e energjisë së pastër dhe teknologjisë.

Blinken falënderoi gjithashtu Princin e Kurorës për mbështetjen e Arabisë Saudite në evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Sudani dhe për partneritetin e vazhdueshëm të Mbretërisë në negociatat diplomatike për të ndaluar luftimet atje.

Është paraparë që Blinken sot të marrë pjesë në një takim ministror me vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) “për të diskutuar bashkëpunimin në rritje me partnerët tanë të GCC-së për të promovuar sigurinë, stabilitetin, de-eskalimin, integrimin rajonal dhe mundësitë ekonomike në të gjithë Lindjen e Mesme”.

Blinken dhe ministri i Jashtëm saudit Faisal bin Farhan do të bashkëorganizojnë një tjetër takim ministror nesër në kryeqytetin saudit Riad mbi koalicionin ndërkombëtar për të mposhtur organizatën terroriste DEASH.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne