Guterres paralajmëron se shkelja e së drejtës ndërkombëtare po e shtyn botën drejt kaosit. OKB rrezikon edhe falimentimin, ndërsa fuqitë e mëdha injorojnë rregullat.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka ngritur alarmin për një krizë të thellë globale, duke paralajmëruar se rendi ndërkombëtar dhe vetë Organizata e Kombeve të Bashkuara po përballen me rrezikun më serioz që nga krijimi i tyre.
Në një intervistë për La Repubblica, gjatë vizitës në Itali për hapjen e Lojërave Olimpike, Guterres deklaroi se bota po hyn në një fazë të rrezikshme ku “ligji i forcës po zëvendëson forcën e ligjit”, një realitet që, sipas tij, prodhon pasoja të rënda dhe destabilizuese.
Ai theksoi se shkeljet e vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare, veprimet e njëanshme dhe dobësimi i multilateralizmit po gërryejnë besimin mes shteteve dhe po rrisin rrezikun e konflikteve globale.
Sipas Guterres, kur fuqitë e mëdha vendosin interesin dhe ndikimin mbi rregullat, mesazhi është i qartë: normat ndërkombëtare mund të shpërfillen pa pasoja.
Por kriza nuk është vetëm politike. Kreu i OKB-së paralajmëroi edhe për një rrezik real financiar, duke pranuar se Organizata ndodhet pranë një “kolapsi financiar”, për shkak të mospagesës së detyrimeve nga disa shtete anëtare.
“Kjo situatë e ekspozon OKB-në ndaj rreziqeve strukturore serioze. Shtetet anëtare ose duhet të bien dakord për reforma financiare, ose të pranojnë hapur mundësinë e shembjes financiare të Organizatës”, tha Guterres.
Në lidhje me konfliktet aktuale, ai riafirmoi se përgjegjësia për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare i takon ekskluzivisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se asnjë nismë paralele nuk mund ta zëvendësojë atë.
Duke iu referuar Gazës, Guterres kërkoi zbatim të plotë të rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit, duke theksuar se armëpushimi duhet të ruhet dhe procesi të ecë drejt Fazës 2. Kjo, sipas tij, nënkupton tërheqjen e plotë të forcave izraelite, çmontimin e grupeve të armatosura dhe krijimin e kushteve për një zgjidhje politike të qëndrueshme, përfshirë modelin e dy shteteve.
“Vetëm Këshilli i Sigurimit ka autoritetin e dhënë nga Karta e OKB-së për të marrë vendime detyruese dhe për të autorizuar përdorimin e forcës. Asnjë mekanizëm tjetër nuk mund ta zëvendësojë. Prandaj reforma dhe forcimi i tij janë jetike”, përfundoi Guterres./pamfleti
















