Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës, Braimllari: Veliaj nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë penale. SPAK të reagojë!

Nënkryetari dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, Endrit Braimllari në një deklaratë për mediat foli për sekuestrimin e inceneratorin e Tiranës nga SPAK.

Braimllari tha se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë penale, teksa i bën thirrje SPAK të reagojë, pasi çdo vonesë rëndon mbi xhepin dhe taksat e qytetarëve.

Deklarata e plotë: 

Përshëndetje!

Në mbledhjen e së premtes të këshillit bashkiak të Tiranës, Erion Veliaj certifikoi përfundimisht fajësinë dhe bashkëautorësinë për inceneratorin e Tiranës.

Nën sekuestron e SPAK dhe procedurave hetimore, Erion Veliaj vendosi t’i kalojë 5.7 milionë euro inceneratorit të Tiranës, duke ja hequr këto para të taksapaguesve të Tiranës, dhe zërave në buxhetin e bashkisë.

Erion Veliaj paratë që merr nga taksa e arsimit, pra për t’a bërë më të qartë, paratë që paguajnë qytetarët e Tiranës për arsimimin e fëmijëve të tyre, për kopështet dhe çerdhet ja çon inceneratorit, i cili nuk ekziston.

Erion Veliaj vijon të rëndojë pozitën e tij, duke shkelur hapur ligjin dhe duke sfiduar SPAK i cili ka nën hetim këtë çështje.

Erion Veliaj nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë së tij penale dhe të aministohet në lidhje me firmën e tij, e cila ka ndryshuar fatin e koncesionit të inceneratorit.

Erion Veliaj me firmën e tij, duke marrë kompentencat e këshillit bashkiak i ka hapur rrugën kontratës me inceneratorin e Tiranës.

Qytetarët e Tiranës paguajnë çdo ditë 29 euro për ton, megjithëse nuk marrin shërbimin sipas kontratës.

Por Erion Veliaj nuk ndalet me 29 euro për ton dhe 80 mijë dollarë në ditë, por me vendimin e djeshëm me votën e këshilltarëve të tij, i kaloi dhe 6 milionë euro të tjera inceneratorit.

SPAK duhet të reagojë ndaj sfidës që Erion Veliaj po i bën sistemit të drejtësisë. Çdo vonesë rëndon mbi xhepin dhe taksat e qytetarëve të Tiranës.

Erion Veliaj duhet të merret i pandehur dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për rolin e tij, në aferën e inceneratorit të Tiranës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress