Një aksident tragjik, i ndodhur në nëntor në qytetin serb Novi Sadit, që i mori jetën 15 personave, shkaktoi një valë të fortë protestash në Serbi. Shumë serbë, besojnë se shembja e çatisë së stacionit hekurudhor, që ra mbi kokat e pasagjerët që prisnin trenin, lidhet me korrupsionin e shfrenuar në vend, dhe shkujdesjen që tregohet gjatë punimeve të infrastrukturës të kryera nga kompanitë kineze.
Protestat drejtohen nga studentët, e mbështetur nga kategori të ndryshme profesionale si fermerë, profesorë etj, dhe qëllimi i tyre është të bëhet drejtësi për atë që ka ndodhur. Deri më tani, hetimet kanë çuar në arrestimin e 13 personave, përfshirë një ministër të qeverisë, i cili më pas u lirua.
Tragjedia e Novi Sadit, është pjesë e një klime më të gjerë pakënaqësie ndaj kreut të shtetit Aleksandër Vuçiç, në pushtet që nga viti 2014, dhe një figurë dominuese në skenën politike serbe, i akuzuar për autoritarizëm dhe shtypje të të drejtave civile.
Partia Progresiste Serbe, e lidhur me kreun e shtetit, ka dalë e para në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara që nga viti 2012 e deri më sot. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 mori 48 për qind të votave. Por mbështetja që gëzon Vuçiç, nuk është uniforme në të gjitha kategoritë sociale.
Dhe këtë e dëshmon pjesëmarrja në protestën e fundit në kryeqytetin Beograd. Dhjetëra mijëra njerëz, të udhëhequr nga studentët grevistë, dolën në rrugë për të demonstruar pakënaqësinë e tyre dhe protestat e njëpasnjëshme gjatë javëve të fundit, kanë nisur të ushtrojnë presion mbi administratën presidenciale.
Gjithsesi, nuk është e sigurt nëse presioni do të përkthehet në ndryshime të rëndësishme në skenarin politik. Formimi i një koalicioni të bashkuar të opozitës progresiste, i quajtur Serbia Kundër Dhunës, nuk e pengoi Vuçiçin të triumfonte në zgjedhjet e vitit 2023, dhe protestat e mëvonshme anti-qeveritare nuk ndikuan në panoramën kombëtare.
Sikurse raporton CNN, një mision ndërkombëtar i monitorimit të zgjedhjeve, kishte njoftuar se zgjedhjet ishin zhvilluar “në kushte të padrejta” për shkak të njëanshmërisë së mediave, ndikimit të pahijshëm të ushtruar nga Vuçiç dhe “frikësimit dhe presionit të ushtruar ndaj votuesve, si p.sh përmes blerjes së votave”.
Freedom House, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, e cila mbikëqyr respektimin e të drejtat civile dhe politike në mbarë botën, e konsideron Serbinë si një vend pjesërisht të lirë, në të cilin opozita ka pak shanse për të fituar zgjedhjet në mënyrë demokratike dhe për të marrë pushtetin.
Kjo tablo politike në Serbi, në kujton atë që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Hungarinë e kryeministrit Viktor Orbàn, e cila mund të llogarisë mbështetjen e medias kombëtare dhe tek një parti që duket se është bërë njësh me institucionet shtetërore.
Pozicioni i Brukselit në lidhje me situatën politike në Beograd, ndërlikohet nga evropianizmi kryesisht sipërfaqësor i shpallur nga Vuçiç, si dhe nga interesat e Rusisë ndaj kombit ballkanik. Presidentja e Komisionit Ursula Von Der Leyen, u takua me presidentin serb në shtator duke deklaruar ndër të tjera se “Evropa është e përkushtuar fuqishëm për të ardhmen evropiane të Serbisë”.
Në këtë kuadër, Brukseli u ofroi 6 miliardë euro ndihmë anëtarëve të mundshëm të Ballkanit Perëndimor për në union për promovimin e rritjes së tyre ekonomike. Vuçiç deklaroi se Serbia nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2028, një datë e caktuar si objektiv nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kjo përfaqëson një reduktim të perspektivës, e ndikuar nga vështirësitë objektive gjatë bisedimeve të pranimit, të cilat kërkojnë që Beogradi të përmirësojë kushtet demokratike në vend, sundimin e ligjit, një reformë të sistemit gjyqësor, dhe një luftë të fuqishme kundër korrupsionit, si parakushte për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Politika e jashtme e Serbisë është zhvilluar vitet e fundit, duke favorizuar zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike si me Bashkimin Evropian ashtu edhe me Rusinë. Por ky pozicion i paqartë, nuk mund të mbahet për një kohë të gjatë për shkak të kuadrit të ndryshuar të gjeopolitikës kontinentale.
Rusia është një aleate historike e Beogradit, me të cilin ndan tradita gjuhësore dhe fetare. Po ashtu, Serbia varet nga furnizimet ruse me energji, si dhe nga mbështetja e Moskës për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.
Edhe pse e dënoi pushtimin e Ukrainës nga trupat e Moskës, Serbia nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Kremlinit për arsye ideologjike dhe praktike, duke qenë se një shkëputje me Moskën do ta privonte atë nga mbrojtja ndërkombëtare dhe stabiliteti i nevojshëm energjetik për zhvillimin e brendshëm.
Beogradi ka marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike me Bashkimin Evropian, partneri kryesor i tregtisë së jashtme. Ndërsa popullsia e vendit është e ndarë midis nacionalistëve simpatizues të Moskës dhe pro-perëndimorëve, të cilët shpresojnë për një demokratizim më të madh të jetës politike të brendshme.
Vështirësitë e hasura deri më tani nga opozita, e kanë penguar zhvillimin e një poli të vërtetë alternativ ndaj figurës së Vuçiçit dhe paqartësitë e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët e konsiderojnë Serbinë një element të rëndësishëm të stabilitetit në Ballkan, kanë frenuar deri më tani zhvillimet e mundshme alternative./Pamfleti