SHBA, 3 të vrarë në sulmin e armatosur në një kampus universitar

Policia neutralizoi sulmuesin që vrau 3 persona dhe plagosi rëndë një tjetër në një kampus universitar në shtetin amerikan të Nevadës. Policia e Nevadës tha se një person i armatosur hapi zjarr në kampusin e Universitetit të Nevadës në Las Vegas. Thuhet se sulmuesi u vra në kundërpërgjigje nga forcat e sigurisë, të cilët u bënë thirrje qytetarëve në zonë të largohen nga vendi i ngjarjes dhe të shkojnë në vende të sigurta.

Policia e Las Vegasit njoftoi në platformën e mediave sociale X se 3 persona u vranë dhe një u plagos rëndë nga sulmi. Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) ndaloi përkohësisht fluturimet për në Aeroportin Ndërkombëtar “Harry Reid”, që ndodhet rreth tre kilometra larg kampusit ndërsa mësimet u pezulluan në universitet.

Profesori Kevaney Martin, i cili ishte në klasë në momentin e sulmit, tha se ai dhe studentët e tij u fshehën nën një tavolinë. “Ishte e tmerrshme. Nuk mund ta përshkruaj”, tha Martin. Sipas Associated Press (AP), pretendohet se sulmuesi kishte aplikuar më parë për një punë në Universitetin e Nevadës, por nuk ishte pranuar. Gjithashtu u tha se sulmuesi ka punuar më parë si profesor në Universitetin e Karolinës Lindore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se ata janë në dijeni të incidentit në kampus dhe po ndjekin zhvillimet. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe u bëri thirrje republikanëve që të ndalojnë “armët gjysmë automatike”. “Pavarësisht të gjitha hapave që kemi ndërmarrë që kur u bëra president, ne duhet të ndërmarrim më shumë veprime kundër dhunës me armë. Por, ne nuk mund ta bëjmë këtë pa Kongresin”, tha Biden./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne