Shefi i diplomacisë italiane: Gaza ka nevojë për “qeveri civile”

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se Gaza ka nevojë për një “qeveri civile” dhe se të gjitha vendet e G7-tës po punojnë drejt një zgjidhjeje me dy shtete të konfliktit. “Unë do t’u përsëris autoriteteve izraelite se Italia synon një ‘qeveri civile’ në Palestinë, drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Dy popuj, dy shtete janë zgjidhja e vetme e mundshme, edhe pse e vështirë”, u tha Tajani gazetarëve në një konferencë për media mbi prioritetet e presidencës italiane të këtij viti me G7-tën.

“A është një ëndërr… Ndonjëherë ëndrrat e pamundura mund të realizohen dhe ne duhet t’i ndjekim ato. Të gjitha vendet e G7-tës po punojnë me këtë objektiv”, shtoi ai. Shefi i diplomacisë italiane tha se qëllimet e presidencës italiane me G7-tën do të jenë kohezioni dhe stabiliteti ndërkombëtar, me prioritet stabilizimin e Lindjes së Mesme ku Italia do të punojë për një de-përshkallëzim të konfliktit.

Për këtë qëllim, theksoi Tajani, ai në ditët në vijim do të jetë në një mision diplomatik në Izrael, Liban dhe Palestinë për të “sjellë një mesazh të paqes dhe dialogut”. “Ne nuk duam që situata të përkeqësohet, iniciativat tona shkojnë në atë drejtim. Ne po ecim në një mënyrë shumë të ekuilibruar. Ne kemi dënuar sulmin çnjerëzor të Hamasit dhe kërkojmë me forcë lirimin e pengjeve. Ne që nga fillimi i kemi kërkuar Izraelit të ketë një reagim proporcional”, tha Tajani.

Ai tha se popullata civile e Gazës nuk ka asnjë përgjegjësi, duke theksuar më tej se “jo të gjithë palestinezët janë terroristë”. “Përdhosja e kufomave ka qenë një akt frikacak. Ajo që ndodhi ishte një krim lufte për të cilin ne nuk flasim mjaftueshëm”, tha ai. Izraeli i shpalli luftë Hamasit pas ofensivës ndërkufitare të grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Bombardimet e Izraelit në Gazën e qeverisur nga Hamasi, deri më tani kanë vrarë mbi 24 mijë njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka çuar në zhvendosjen e të paktën 1.9 milionë nga mbi 2.2 milionë banorët e enklavës. Sulmet gjithashtu kanë çuar në mungesa akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. SHBA-ja ka propozuar një Autoritet Palestinez të rigjallëruar për të marrë qeverisjen në Gaza pasi të përfundojë konflikti, duke bashkuar administratën e saj me Bregun Perëndimor, një sugjerim që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar ta pranojë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne