Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në një qendër tregtare në qendër të Suharekës, duke përfshirë disa biznese të zonës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se është raportuar për përfshirjen e qendrës tregtare nga zjarri të dielën rreth orës 6:17.
Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit, policia dhe KEDS-i.
Ai ka thënë se është arritur të eliminohet për momentin rreziku që zjarri të përhapet dhe se nuk ka të lënduar të raportuar. Dëmet materiale janë të mëdha, është thënë nga Policia.
“Sot më datën 20.01.2025, rreth orës 06:17 është raportuar se ka shpërthyer një zjarr në qendrën tregtare ETC në Suharekë. Zjarrfikësit, policia dhe KEDS kanë dalë në vendngjarje. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Zjarrfikësit po punojnë në shuarjen e tij. Për momentin është arritur të eliminohet rreziku që zjarri të përhapet më tutje. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, por të lënduar nuk ka të raportuar deri më tani. Policia do ta hetojë rastin si incident zjarri”, ka njoftuar Bytyqi.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka publikuar pamje të disa bizneseve që janë përfshirë nga Zjarri.
“Disa biznese janë përfshirë në rrezik nga zjarri. Po mundohemi ta lokalizojmë me kapacitetet qe i kemi”, ka shkruar Muharremaj.
Afaristi Ramiz Kelmendi ka bërë të ditur se një zjarr i madh ka përfshirë një pikë të qendrës tregtare ETC në Suharekë, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme që kapin shifrën e mbi 3 milionë eurove.
Sipas Kelmendit, zjarri ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, më 19 janar 2025, në depo të objektit, duke dëmtuar një sipërfaqe prej rreth 10 mijë metrash katrorë.
“Fatmirësisht, nga kjo e keqe e madhe, dëme në njerëz nuk ka, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme, (mbi 3 milionë), ku siperfaqja e objektit është rreth 10 mijë metra katror”, ka shkruar Kelmendi.
Fatmirësisht, nuk ka pasur lëndime në njerëz apo të punësuarit në këtë objekt.
“Kam një pikëpyetje të madhe se si të mbrohem nga këto dëme në vazhdimësi, si t’i përballoj emocionalisht dhe financiarisht. Mbetem me shpresë që organet e rendit dhe sigurisë të merren me këto raste,” tha Kelmendi.
Ai ngriti shqetësime mbi mungesën e reagimit efektiv të sistemit të monitorimit vizual, duke theksuar papërgjegjësinë në tri rastet e mëparshme ku ka ndodhur e njëjta situatë.
Kelmendi kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të larguar çdo dyshim mbi shkakun e zjarreve, qofshin ato të qëllimshme apo të paqëllimshme, si dhe për të siguruar që incidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.