Shqipëri, mbahet akademi përkujtimore për grushtin e shtetit te 15 korrikut

Në Tiranë është organizuar një akademi përkujtimore për përvjetorin e shtatë të tentativës për grusht shteti në Turqi, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, që shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, raporton Anadolu.

Në aktivitetin e organizuar nën kujdesin e Fondacionit ALSAR ishin të pranishëm Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, koordinatorja e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri, të organizatave të shoqërisë civile dhe studiues.

Gjatë fjalës në aktivitet, ambasadori Atay u shpreh se përpara shtatë viteve një organizatë, sekt okult që përdor fenë si një mjet sulmoi demokracinë dhe rendin kushtetues në Türkiye, por shtoi ai, kjo tentativë nuk u realizua falë qëndrueshmërisë së popullit turk dhe të policisë.

“Pas asaj ngjarjeje ka pasur shumë persona që janë arratisur jashtë Türkiye-s dhe të cilët përpiqen të mbijetojnë me aktivitetin e tyre jashtë shtetit. Një prej këtyre vendeve në të cilat ndodhen këto persona është edhe Shqipëria që fatkeqësisht që edhe pse populli me zemër ka qenë me Türkiye-n, këtu si shtet nuk po bën përpjekjet e duhura për ta përfunduar aktivitetin e kësaj organizate okulte në Republikën e Shqipërisë”, tha Atay.

Atay theksoi se të dy shtetet kanë kaluar periudha shumë të këqija dhe shtoi se Türkiye është gjendur gjithmonë pranë Shqipërisë në këto periudha të vështira që Shqipëria ka kaluar.

“Ne miqve tanë përpiqemi që t’u shpjegojmë që kjo organizatë okulte me shkollat e saj, me spitalet e saj, me bizneset e saj në çdo vend ku është vendosur përpiqet që të marrë në dorë pushtetin dhe të rrëzojë rendin kushtetues të atij vendi. Që miqtë tanë të mos përjetojnë ato ngjarje që ne fatkeqësisht i përjetuam përpiqemi që t’i paralajmërojmë herë pas here. Ne jemi të vetëdijshëm që nga shumë organizata ndërkombëtare dhe përfaqësi ndërkombëtare ka një presion që organizata ta vazhdojë aktivitetin në Shqipëri. Ne në Türkiye ia kemi thyer shtyllën kurrizore kësaj organizate dhe njoftojmë herë pas here të gjithë miqtë tanë që edhe ata të veprojnë në këtë mënyrë, të mos lejojnë aktivitetet e kësaj organizate, sepse ne duam të mirën e miqve tanë”, u shpreh Atay.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, gjatë fjalës së tij u shpreh se është fatkeqësi që FETO, kjo organizatë, e cila me metoda okulte prodhon individë që zbatojnë urdhrat e kupolës verbërisht, i ka shtrirë tentakulat e saj në shumë vende të botës, duke shtuar se këto zgjatime të helmuara janë përhapur gjerësisht edhe në Shqipëri.

“Paralajmërimet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan që këto zgjatime përbëjnë një kërcënim si për Türkiye-n ashtu edhe për çdo vend tjetër ku ata janë mbërthyer, duhet të merren shumë seriozisht edhe nga institucionet e larta të shtetit shqiptar. Prej vitesh një numër i konsiderueshëm individësh të trajnuar në sistemin e kolegjeve e universiteteve gyleniste, zotërojnë biznese e janë infiltruar në institucione shtetërore, grupe mediatike e të tjerë në Shqipëri, duke e bërë atë vendin ballkanik me prezencën e tyre më të madhe”, u shpreh Gurra.

Gurra tha se shembulli me sinjifikativ i suksesit të FETO-s në Shqipëri është uzurpimi me metodat e saj të zakonshme puçiste i Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së Komunitetit Musliman të Shqipërisë, përfshirë edhe institucionet e tij arsimore.

Gjatë aktivitetit folën edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe studiuesi Abdi Baleta, kryetari i Shoqatës Tirana, Arben Tafaj dhe kryetari i Shoqatës së Vakëfeve – Korçë, Petrit Zeneli, duke u fokusuar tek tentativa për grusht shteti në Türkiye, marrëdhëniet mes dy vendeve, mbështetja e Türkiye-s për Shqipërinë, roli i Türkiye-s për ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe botë.

Gjatë aktivitetit u shfaq edhe një film dokumentar për tentativën për grusht shteti në Turqi/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne