Shqipëria përkrah gjenocidit: deputetët që u rreshtuan me Izraelin

Shqipëria iu bashkua Fondacionit të Aleatëve të Izraelit, një lëvizje që për shumë shqiptarë përbën një njollë morale dhe politike përfaqësuese. Në një kohë kur bota demokratike po e dënon hapur Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar, për gjenocid ndaj popullit palestinez dhe për politika aparteidi, një grup deputetësh shqiptarë nga pozita dhe opozita, dorë për dore, pozon në krah të përfaqësuesve të këtij fondacioni sikur të mos ekzistonte asnjë dilemë etike, asnjë ndjeshmëri njerëzore dhe asnjë kujtesë historike për të drejtat e popujve të shtypur. Romina Kuko e Partisë Socialiste dhe Gazment Bardhi i Partisë Demokratike marrin rolin e bashkëkryesuesve të këtij grupi, duke treguar se kur vjen puna për interesa dhe ekspozim politik, ndarjet partiake zhduken. Në të njëjtën rresht vihen Iris Luarasi, e cila shpesh shfaqet si zë i barazisë dhe të drejtave, por në këtë rast hesht përballë dhunës së një shteti që po masakron gra e fëmijë në Gaza; Agron Gjekmarkaj, profesor letërsie që e njeh mirë historinë e tragjedive njerëzore, por që pranon të jetë pjesë e një grupi që mbyll sytë ndaj një prej më të mëdhenjve të kohës sonë; Ina Zhupa, Bledjon Nallbati, Elda Hoti dhe Erion Malaj, që duket se nuk e kanë parë si problem të shfaqen nën flamurin e një shteti që çdo ditë sfidon gjykatat ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së; e madje edhe Erald Kapri nga “Mundësia”, që në vend të një qëndrimi qytetar për drejtësinë, zgjedh të jetë pjesë e një spektakli diplomatik që e shitet si “miqësi” por që në fakt është legjitimim i krimit politik.

Ky është imazhi që përfaqëson sot një pjesë të klasës sonë politike: të bashkuar për interesa të huaja, të ndarë për hallet e qytetarëve të vet. Një foto e gëzuar në një sallon të ngrohtë, ndërkohë që fëmijët në Gaza vdesin nën rrënoja dhe qeveria e Tel Avivit përballet me akuza për krime lufte. Dhe ndërkohë që çdo zë ndërkombëtar i pavarur kërkon hetim dhe drejtësi, përfaqësuesit tanë zgjedhin të shfaqen si mbështetës të “aleancës me Izraelin”, duke i dhënë asaj një vulë të padrejtë përfaqësimi shqiptar.

Askush nuk kërkon që Shqipëria të përfshihet në konflikte, por askush nuk ka të drejtë të përdorë emrin e shqiptarëve për të mbuluar një regjim që po rrënohet moralisht. Qëllimi i një parlamenti duhet të jetë të mbrojë parimet e paqes, të drejtësisë dhe të njerëzimit, jo të bëhet pjesë e një makinerie propagandistike që kërkon të zbusë imazhin e një shteti të akuzuar për spastrime dhe shkatërrim sistematik.

Në këtë rast, nuk ka justifikim që qëndron. Të gjithë ata që u bënë pjesë e kësaj nisme, pavarësisht nga partia apo emri, janë bërë palë me një shtet që është shpallur në qendër të kritikave globale për mizori dhe shkelje të të drejtave themelore. Dhe kjo nuk është as diplomaci, as politikë e jashtme është thjesht mungesë ndjeshmërie, mungesë moraliteti dhe mungesë përgjegjësie ndaj historisë.

Historia nuk harron, dhe çdo emër që sot përpiqet të shfaqet si pjesë e kësaj “miqësie” do të mbetet i lidhur me njollën e një kohe kur bota po fliste për drejtësi, ndërsa ata zgjodhën të heshtnin, të pozonin dhe të firmosnin përkrah një shteti që po shkruan një nga kapitujt më të errët të njerëzimit./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne