Skaneri dhe kamerat e burgut të Peqinit nuk punonin, pse dështoi tenderi 5.6 milionë euro dhe premtimi i Ramës për 24 orë mbikqyrje?

Ngjarja e ndodhur në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit ku një i burgosur humbi jetën dhe një tjetër u plagos, ka ngjallur frikën te familjarët e personave që vuajnë dënimet në këto mjedise. Pas krimit që tronditi vendin, u zbulua se skaneri i burgut kishte disa kohë që nuk punonte, madje kamerat e sigurisë nuk regjistronin pamje filmike. Nëse kthejmë kujtesën në vitin 2018, kryeministri Edi Rama foli lidhur më një vendim të qeverisë asokohe, për monitorimin e të gjitha IEVP-ve me kamera sigurie 24 orë në ditë.

Për këtë qëllim, 14 muaj më parë në tetor 2022 u shpall dhe një tender me objekt “Mirëmbajtja e sistemit të sigurisë në 18 Institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale”, në interes të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Vlera e tenderit ishte 611 milionë lekë, dhe me anë të tij synohej që burgjet të monitorohej me kamera sigurie. Mes këtyre institucioneve ishte dhe IEVP Peqin ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Në momentin e shpalljes së tenderit, ishte vetëm një kompani që hyri në garë, ajo e shoqërive Advanced Business Solutions- Albascan- Real Com dhe CSP SHPK. Shoqëria e fitoi tenderin duke ofruar 568.6 milionë lekë. Kontrata e këtij tenderi parashikonte mirëmbajtjen e sigurisë në burgje, përfshirë vëzhgimin me kamera sigurie, ndërrimin e kamerave të vjetra që mund të ishin të dëmtuara ose amortizuara, por duket se korrupsioni ka hyrë në lojë pas miratimit të tenderit.

Por pyetja që ngrihet është se kush do të mbajë përgjegjësi se ku shkuan më shumë se 5.6 milionë euro, në kushtet kur kamerat e sigurisë nuk funksionojnë dhe brenda burgjeve mund të futen armë zjarri apo sende të kundraligjshme?

Ende mbetet mister fakti se si Sokol Mjacaj ka siguruar brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, armën me të cilën vrau më 15 dhjetor të dënuarin me burgim të përjetshëm, Arben Lleshi në qelinë e tij. Vetë Mjacaj në dëshminë e tij ka deklaruar se e ka siguruar armën më shumë se 1 muaj e gjysmë më parë, por pa treguar se me kë ka bashkëpunuar.

Për një periudhë disa javore skaneri i burgut nuk ka punuar, po ashtu edhe disa kamera, gjë që edhe lehtëson futjen e sendeve të paligjshme në burg.

Aktualisht në polici janë 13 të shoqëruar, përfshirë edhe drejtorin e burgut, Kamber Hoxha.

Ngjarja ka ndodhur në 13:52 minuta të mesditës së të premtes, ndërkohë në 13:18 minuta, zyrtarisht ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte njoftuar transferimin e tij Mjacajt në regjimin 41 bis./tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne