Deputetja e pavarur reagoi sërish në rrjetet sociale pasi një ditë më parë u përball me kritika dhe thirrje nga ana e socialistëve të rebeluar për të dorëzuar mandatin.
Pas furtunës së reagimeve që pasoi largimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Marjana Koçeku ka zgjedhur t’u përgjigjet kritikëve socialistë me një sfidë politike. Deputetja tha sot se nuk ka ndërmend të dorëzojë mandatin dhe madje ftoi shumicën të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku reagoi ndaj zërave që i kanë kërkuar të heqë dorë nga mandati i deputetes, me argumentin se ai u sigurua falë renditjes së saj në listën e mbyllur të PS në qarkun e Shkodrës.
Më tej, deputetja sfidon hapur socialistët që kanë vënë në dyshim peshën e saj elektorale.
“Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka. Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde”, shkruan deputetja.
Reagimi i saj vjen një ditë pasi njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS dhe kalimin si deputete e pavarur. Vendimi shkaktoi debat të gjërë në rrjetet sociale dhe brenda radhëve socialiste, ku figura të ndryshme i kërkuan publikisht të dorëzojë mandatin me argumentin se mandati nuk është pronë personale, por rezultat i votave dhe besimit të marrë nën siglën e PS.
Pavarësisht kritikave, Koçeku ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet, duke e kthyer debatin për mandatin në një përplasje të drejtpërdrejtë politike me ish-partinë e saj./shqiptarja

















