Sot votohen në Kuvend ligji për barazinë gjinore, opozita kundër: Shkatërron familjen, ndëshkon prindërit!

Opozita ka denoncuar ligjin e ri për barazinë gjinore, duke e cilësuar atë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për vlerat e familjes shqiptare.

Opozita ka kundërshtuar projektligjin për barazinë gjinore, që do të votohet këtë të enjte në Parlament.

Për projektligjin për barazinë gjinore kanë nisur debatet në Kuvend, ndërsa para nisjes së seancës është mbajtur edhe një protestë para Parlamentit kundër këtij projektligji.

Projektligji nuk do të ketë më konceptin “gjithëpërfshirëse” për gjininë por do të njohë vetëm burrë e grua. PS depozitoi 22 amendamente ku hiqen termat “gjithëpërfshirës” dhe “diversitet gjinor”, duke i zëvendësuar me formulime të qarta në vetëm dy gjini.

Për Berishën, ky projektligj është një vepër e George Soros, që synon shkatërrimin e familjes shqiptare.

“Ky ligj, i bazuar fund e krye në ideologjinë e ekstremit të majtë, përmbys Kushtetutën e vendit. Përmbys kodet e vendit. Përmbys trashëgiminë pozitive mijëravjeçare dhe penalizon, ndëshkon të gjithë ata të cilët duhet të mbrojnë familjen dhe vlerat e saj, binaritetin e saj natyral, biologjik. Penalizon ligjet, Kushtetutën e vendit, nenet e familjes. Penalizon dhe përmbys nenet e lirisë së besimit. Nenet e lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij. De facto, në emër të përafrimit me direktivat evropiane, që është edhe mashtrimi më i madh, ligji çon me shpejtësi drejt totalitarizmit. Ky ligj, për shqiptarët, i garantoj se është identik dhe i njëjtë me atë ligj që shpalli Shqipërinë shtet ateist në Kushtetutën më të keqe të vendit, atë të vitit 1974”, tha Berisha.

Ai e konsideroi projektligjin për barazinë gjinore si pjesë e një “doktrine postmarksiste” që, sipas tij, synon të shkatërrojë familjen si qeliza themelore e shoqërisë.

“Një ligj të doktrinës postmarksiste, doktrinës më çnjerëzore që qarkullon sot në botë, që dallon nga ajo e Marksit sepse ajo bazohet në pronën private, kurse kjo shkon më tej, sepse bazohet në shkatërrimin e familjes si bazë qelizë,” tha Berisha.

Kryetari i PD-së e akuzoi projektligjin se cenon nenet kushtetuese që mbrojnë lirinë e besimit dhe të shprehjes, duke e cilësuar si një hap drejt totalitarizmit.

Sipas Berishës, ligji nuk e shpreh hapur këtë qëllim, por përmes termave si “gjini me përkatësi të shumëfishtë”, ai dorëzon tekstet fetare në duart e censurës dhe shtetit.

“Penalizon ligjet, kushtetutën e vendit, nenet e familjes; penalizon, përmbys nenet e lirisë së besimit, nenet e lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij, de facto në emër të përafrimit me direktivat europiane, që është dhe mashtrimi më i madh. Ligji çon në shpejtësi të totalitarizmit. Ky ligj është identik dhe i njëjtë me atë që shpalli Shqipërinë shtet ateist në kushtetutën më të keqe të planetit në vitin 1974. Në germë nuk e shpreh këtë ligji.

Por në termin e gjinisë me përkatësi të shumëfishtë, ligji dorëzon plotësisht Kuranin në duart e censurës dhe të shtetit, dhe asnjë nga udhëheqësit moralë të besimeve fetare nuk do mund t’i lexojnë ashtu siç janë, sepse do konsiderohen se po diskriminojnë. Por ligji ndëshkon prindërit, që do mund të penalizohen nëse duan që i linduri i tyre djalë, të rritet si djalë. Ata do dënohen, sepse faktikisht identitetin gjinor nuk do e përcaktojë më natyra e biologjia, por shkolla dhe shteti. Në të gjitha kodet e vendit, pretendimi se ky është përafrim me BE është mashtrim. Direktivat europiane në asnjë rresht nuk bëjnë fjalë për gjini me diversitet të gjerë, apo përkatësi gjinore të shumëfishta. Janë të gjitha mashtrime në emër të një ideologjie, monstra e së cilës është George Sorosi,” tha Berisha./pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne