Stafi i administratës së Bidenit del para Shtëpisë së Bardhë, kërkon armëpushim në Gaza

Një grup punonjësish të administratës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë të mërkurën në mbrëmje, duke kërkuar armëpushim në Gaza në mes të sulmeve izraelite. Protestuesit, të përbërë kryesisht nga të emëruar politikë dhe zyrtarë administrativë, ndezën qirinj dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “President Biden, stafi juaj kërkon armëpushim”.

Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, Josh Paul, në emër të grupit tha se armëpushimi i përkohshëm që përfundoi gati dy javë më parë nuk ishte aspak i mjaftueshëm. “Duhet të lëvizim me urgjencë që të shpëtojmë sa më shumë jetë të jetë e mundur dhe të arrijmë marrëveshje të menjëhershme, të përhershme për një armëpushim dhe lirimin e të gjitha pengjeve”, tha ai.

Paul dha dorëheqje nga detyra në tetor për shkak të mosmarrëveshjeve me administratën e Bidenit për qasjen ndaj konfliktit në Gaza. Më vonë, grupi lexoi me zë të lartë emrat e palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 1 dhjetori dhe vendosi trëndafila në tokë në kujtim të viktimave.

Izraeli filloi bombardimin e Rripit të Gazës nga ajri dhe nga toka, duke vendosur një rrethim të plotë dhe ka nisur një ofensivë tokësore si hakmarrje për sulmin ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Të paktën 18.608 palestinezë janë vrarë dhe 50.594 janë plagosur në sulmet izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Sipas të dhënave zyrtare, 1.200 persona u vranë në Izrael./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne