“Sulmet e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Jemen mund të ndikojnë në përpjekjet për zgjidhje”

I ngarkuari me punë në Jemen, Yevgeny Kudrov, ka deklaruar se sulmet e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Jemen, të nisura si përgjigje ndaj sulmeve të rebelëve Houthi në Detin e Kuq, mund të kryqëzojnë përpjekjet 2-vjeçare të zgjidhjes në vendin arab të shkatërruar nga lufta. Duke folur në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, diplomati rus tha se “në rastin më të mirë nisja e zgjidhjes politike do të shtyhet, ndërsa në rastin më të keq gjithçka e arritur në dy vitet e fundit do të humbasë”.

Ai shprehu bindje se “efekti i aventurave ushtarake amerikano-britanike” në Detin e Kuq në perspektivat e një zgjidhjeje jemenase do të jetë negativ.

“Në rastin më të mirë, finalizimi i udhërrëfyesit, i cili aktualisht po trajtohet nga i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm në OKB, Hans Grundberg, me ndihmën e shumë ndërmjetësve ndërkombëtarë, përfshirë Rusinë, si dhe nisja e shumëpritur e procesit politik në Jemen, do të shtyhet për disa kohë. Në rastin më të keq, me një përshkallëzim në shkallë të gjerë të tensionit, rrezikojmë të humbasim shumë, nëse jo të gjitha, arritjet e dy viteve të fundit”, tha Kudrov.

Kudrov kërkoi “të bëhet gjithçka” për të shmangur skenarin e rastit më të keq.

Jemeni është përfshirë në një konflikt që kur rebelët Houthi të mbështetur nga Irani morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa në vitin 2014, duke shkaktuar një ndërhyrje ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite në mbështetje të forcave qeveritare në vitin 2015. Aktualisht, luftimet kryesisht janë ndalur në mes të një procesi të paqes midis palëve ndërluftuese.

Megjithatë, ka frikë se përpjekjet për paqe mund të pësojnë një pengesë pas sulmeve të rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq në mbështetje të palestinezëve, të cilët janë nën sulm nga forcat izraelite që nga ofensiva e 7 tetorit nga Hamasi. SHBA dhe aleatët e saj janë përgjigjur me sulme ajrore ndaj pozicioneve të rebelëve Houthi në Jemen.

Të hënën, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në një deklaratë të përbashkët tha se forcat amerikane dhe britanike goditën tetë objektiva të rebelëve Houthi në Jemen me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne