Teksa shpërthime të fuqishme janë dëgjuar mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, pas kërcënimeve të Teheranit për t’u hakmarrë ndaj sulmeve të SHBA-së në centralet bërthamore iraniane, vetë Televizioni shtetëror Iranian ka konfirmuar sulmet, në një operacion kundër bazave amerikane.
Ndërkohë referuar zhvillimeve të fundit në rajonin e Lindjes së Mesme, SHBA kishte paralajmëruar për sulme të tilla ndaj bazave të saj në rajon, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump, do të takohet me zyrtarët e lartë në Shtëpinë e Bardhë, raporton Fox News.
SHBA-të po gjurmojnë raketa të shumta të lëshuara nga Irani drejt bazave ushtarake amerikane në Katar dhe Irak, sipas dy zyrtarëve të njohur me çështjen.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit të Ushtrisë, Dan Caine, janë në Dhomën e Situatave, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Një zyrtar i lartë tha më parë se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Mbrojtjes po monitoronin kërcënimet e mundshme të sulmeve ndaj Bazës Ajrore Al Udeid në Katar. Presidenti Donald Trump vizitoi bazën muajin e kaluar, komandanti i parë suprem që e viziton që nga viti 2003. Është instalimi më i madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme.
Disa orë më parë, ambasada amerikane në Katar u tha qytetarëve amerikanë se duhet të strehohen në vend “deri në njoftim të mëtejshëm”.
Deklarata e shkurtër nuk dha detaje specifike, por tha se alarmi ishte lëshuar “për shkak të një kujdesi të tepruar”./syri