Të paktën 15 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite gjatë natës në Rripin e Gazës. Sipas agjencisë palestineze të lajmeve, WAFA, avionët izraelitë kanë sulmuar dy shtëpi në Deir al-Balah në qendër të Gazës dhe lagjen Al-Manara në qytetin jugor Khan Younis.
Të vrarët janë kryesisht fëmijë, ndërsa shumë persona të tjerë janë plagosur. Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një operacion ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas, më 7 tetor.
Të paktën 22.600 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 57.910 janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit. Sulmet izraelite e kanë kthyer Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë banorë të zhvendosur, të cilët përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve./AA