Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, Atij që tha:
“Mos mendo se ata që janë vrarë në rrugën e Allahut janë të vdekur; përkundrazi, ata janë të gjallë, pranë Zotit të tyre, dhe furnizohen.”
Unë jam Saleh.
E lë këtë testament, jo si një lamtumirë, por si një vazhdim të rrugës që e zgjodha me bindje të plotë.
Allahu e di se kam dhënë gjithçka që kisha përpjekje, forcë, zë që të jem mbështetje dhe zë për popullin tim. Kam jetuar dhimbjen dhe shtypjen në çdo detaj, kam shijuar humbjet dhe ndarjet e të dashurve shumë herë. E megjithatë, asnjëherë nuk hezitova ta përcjell të vërtetën ashtu siç është të vërtetën që do të mbetet dëshmi kundër kujtdo që u tregua i dobët dhe heshti, dhe nder për ata që e mbështetën, ndihmuan dhe qëndruan pranë burrave më fisnikë dhe njerëzve më të dashur e më bujarë popullit të Gazës.
Nëse bie dëshmor, dijeni se unë nuk jam zhdukur…
Unë tani jam në xhenet, me shokët e mi që më paraprinë me Anas, Ismailin, dhe me të gjithë të dashurit që e mbajtën besën ndaj Allahut.
Ju porosis të më kujtoni në lutjet tuaja, dhe ta vazhdoni rrugën pas meje.
Më kujtoni me sadaka të përhershme; më përmendni sa herë të dëgjoni ezanin apo të shihni dritën që çan natën e Gazës.
Ju porosis për qëndresën…
për rrugën që ecëm dhe për parimin që besuam.
Sepse nuk njohëm rrugë tjetër për veten tonë, as nuk gjetëm kuptim për jetën përveç qëndrueshmërisë në të.
Ju porosis për babain tim…
Dashurinë e zemrës sime, shembullin tim në të cilin e shihja veten, dhe ai e shihte veten në mua.
O ti që më shoqërove në kohë lufte, me gjithçka që ajo solli…
Lus Allahun të takohemi në xhenet ndërsa ti je i kënaqur me mua, o kurora e kokës sime.
Ju porosis për vëllain tim, mësuesin dhe shokun e udhës, Naxhin.
O Naxhi… Unë të kam paraprirë drejt Allahut përpara se të dilje nga burgu.
Dije se ky është një caktim që e ka shkruar Allahu,
dhe se mallëngjimi për ty më jeton brenda.
Do të doja të të shihja, të të përqafoja, të të takoja
por premtimi i Allahut është i vërtetë, dhe takimi ynë në xhenet është më afër se mendon.
Ju porosis për nënën time…
O nëna ime, jeta pa ty s’është asgjë.
Ti ishe lutja që nuk pushonte, dëshira që nuk vdiste.
E luta Allahun të të shërojë e të të forcojë,
dhe sa shumë kam ëndërruar të të shoh udhëtuar për shërim, e të kthehesh e buzëqeshur.
Ju porosis për vëllezërit e motrat e mia,
Kënaqësia e Allahut, pastaj kënaqësia juaj është qëllimi im.
Lus Allahun t’ju bëjë të lumtur dhe t’ju dhurojë jetë të mirë, si zemrat tuaja të buta, për të cilat gjithmonë u përpoqa të jem burim gëzimi.
Kam thënë gjithmonë:
As fjala nuk bie, as imazhi nuk bie.
Fjala është amanet, fotografia është mesazh.
Barteni përpara në botë, ashtu siç e bartëm ne.
Mos mendoni se dëshmia ime është fundi
ajo është fillimi i një rruge të gjatë drejt lirisë.
Unë jam lajmëtar i një mesazhi që desha të arrinte te bota që mbyll sytë, te ata që heshtin përballë së vërtetës.
Dhe nëse dëgjoni lajmin për mua, mos qani për mua.
E kam dëshiruar këtë moment për një kohë të gjatë,
dhe i luta Allahut të ma dhurojë.
Falënderuar qoftë Ai që më zgjodhi për atë që dua.
E për të gjithë ata që më kanë ofenduar në jetë, me fyerje apo shpifje, u them: ja ku po shkoj te Allahu, dëshmor me lejen e Tij, dhe para Tij do të mblidhen të gjitha palët.
Ju porosis për Palestinën…
për Xhaminë el-Aksa.
Dëshira ime ishte të arrija në oborrin e saj, të falem aty, të prekem me dheun e saj.
Nëse nuk arrita në këtë botë, lus Allahun të na bashkojë të gjithëve pranë saj në kopshtet e përjetshme të xhenetit.
O Allah, më prano në mesin e dëshmorëve, më fal për mëkatet e mia të kaluara e të ardhshme, dhe bëje gjakun tim dritë që ndriçon rrugën e lirisë për popullin dhe vendin tim.
Më falni nëse kam gabuar, dhe lutuni për mëshirë e falje për mua, sepse u nisa në rrugën e besës, pa ndryshuar e pa devijuar.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju.
Vëllai juaj, dëshmori me lejen e Allahut,
Saleh Amer Fuad al-Xha’frawi/kohaislame
















