TRE BANDITE POLITIKE DHE PROBLEMET E LINDJES SE MESME

nga Enver Hoxha

22 shtator 1978

Më 18 shtator agjencia e lajmeve Associated Press dha nga Uashingtoni tekstin e marrëveshjes që u arrit në Kemp Dejvid në takimin midis Xhimi Karterit, Anuar el Sadatit dhe Mënaem Beginit. U mblodhën tre kusarë, tre banditë imperialistë, për të biseduar mbi problemin e Lindjes së Mesme, problem që është me rëndësi të madhe jetike për popujt arabë e që njëkohësisht i intereson shumë edhe imperializmit amerikan.

Imperializmi amerikan në Lindjen e Mesme i ka futur thonjtë thellë dhe bën një politikë përçarëse në mes popujve arabë, të cilët nuk e kanë gjetur dhe nuk po e gjejnë me njëri-tjetrin fjalën e përbashkët edhe në këto momente kaq të vështira për të gjithë komunitetin arab. Kjo ngjet për arsye se pushteti në vende të ndryshme të këtij rajoni ndodhet në duart e borgjezisë së madhe reaksionare, shtypëse, shfrytëzuese e antipopullore, antiarabe. Borgjezia, në të gjitha vendet e këtij rajoni vetëm emrin ka arabe, sepse kokë e këmbë është shitur te të huajt, tek imperialistët amerikanë, në radhë të parë, te sovjetikët, te francezët, tek anglezët dhe te të gjithë reaksionarët e botës. Prandaj reaksioni botëror bën çdo përpjekje që këtë rajon ta mbajë të përçarë dhe shtetet e ndryshme arabe të rrojnë vazhdimisht në kontradikta me njëri-tjetrin.

Domethënë botëror synon t’i mbajë këta popuj nën zgjedhë, në interes të dinastive që mbretërojnë në këto vende, në varfëri, në robëri, bile mesjetare dhe t’i detyrojë të shesin pasurinë e tyre të madhe, naftën, për të nxjerrë prej saj përfitime përrallore. Në këto situata Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë xhandari dhe padroni kryesor, si me thënë, i këtij pellgu, ndjekin vazhdimisht politikën “përça e sundo”. Ato vënë njërin shtet kundër tjetrit, grupojnë disa shtete kundër shteteve të tjera, nxitin e zhvillojnë luftëra lokale në mes Izraelit dhe Egjiptit, në mes Izraelit dhe Sirisë, në mes Sirisë e marionetave libaneze, në mes irakianëve e sirianëve, në mes Arabisë Saudite dhe Jemenit të Veriut e të Jugut, krijojnë mosmarrëveshje në Gjirin Persik e të tjera komplote të tilla djaIlëzore.

Veçanërisht Izraelin imperializmi amerikan e ka përdorur si xhandar të vërtetë në shërbim të tij. Ky xhandar ka arritur të shkaktojë deri luftëra të përgjakshme me udhëheqjet reaksionare të Egjiptit, të Sirisë, të Libanit, të Jordanisë etj. Në Lindjen e Mesme dy grupe reaksionare janë vënë kurdoherë kundër njëri-tjetrit dhe Izraeli është mbështetur fuqimisht nga imperializmi amerikan me armë nga më modernet, bile aq sa thuhet se ai ka edhe bombën atomike, por nuk e ka përdorur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar Izraelin gjithashtu edhe nga ana logjistike, për arsye të peshës së madhe dominuese që kanë qarqet reaksionare financiare sioniste në ekonominë kapitalisto-imperialiste botërore. Pra imperializmi amerikan e ka bërë Izraelin veglën e tij më të përshtatshme.

Në momentet kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës acarohen me vendet arabe për naftën, për çështjen e furnizimit e të çmimit të saj, nëpërmjet veglës së tyre, Izraelit, krijojnë, sikurse kanë krijuar, incidente të përgjakshme që kanë vajtur deri në luftë. Kështu Izraeli ka fituar rrvbi egjipto-sirianët e jordanezët dhe ka pushtuar territore të tyre, si Sinain, Cisjordaninë, Golanin, rripin e Gazës dhe as lëviz më që andej. Me gjithë rezolutat e panumërta që janë marrë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër veprimeve të Izraelit, megjithëse shtetet e botës e kanë ngritur me të madhe zërin kundër tij, Izraeli ka vazhduar veprimtarinë e vet agresive. Ai jo vetëm ka pushtuar territore arabe, por në to, duke pranuar çifutë emigrantë nga Polonia, nga Rumania, sidomos nga Bashkimi Sovjetik dhe nga vende të tjera të Evropës, ka krijuar koloni çifute.

Më tepër nga të gjithë popujt arabë po vuan populli heroik palestinez, i cili ka dekada të tëra që mban mbi shpinë mjerimin më të madh që ka parë njerëzimi. Ai rron si muhaxhir, duke u strehuar nëpër kasolle dhe në tenda të shkretëtirës, sepse ka humbur atdheun e tij që ia kanë ushtuar izraelitët dhe s’ia lëshojnë. Prandaj populli palestinez është ngritur në luftë të pamëshirshme, deri tani pa kompromis. Pavarësisht se brenda në lëvizjen çlirimtare palestineze ka grupe me pikëpamje të ndryshme, në përgjithësi të gjithë dëshirojnë çlirimin e vendit të tyre nga fashistët sionistë izraelitë.

Ku nuk e gjen popullin palestinez që rron i shpërndarë në të tëra vendet arabe: në Liban ku ai është i vendosur në fshatra që janë qendra luftarake, në Egjipt ku ka jetuar si muhaxhir dhe si luftëtar, por është persekutuar nga Sadati, në Siri ku herë lejohet të luftojë, herë nuk lejohet, sipas politikës së qeverisë borgjeze siriane, ka jetuar e jeton edhe në Jordani, ku është shtypur barbarisht; në Irak, në Arabinë Saudite, në Jemen, në Gjirin Persik, bile edhe në Francë etj. Ai është një popull i hallakatur por trim, luftëtar, që s’e ka pushuar rezistencën e vet asnjë ditë. Kudo që është, në rajonin e Lindjes së Mesme, ai lufton në forma të organizuara gueriljesh, kurse në vende të tjera të botës bën sabotazh kundër gjithçkaje izraelite, organizon atentate, të cilat bota kapitaliste i quan terrorizëm, sepse ajo kërkon qetësi, për të shfrytëzuar si duhet e sa i duhet pasurinë e këtyre vendeve që ka nën sundimin e vet.

Tani, në këto situata të vështira dhe pak a shumë paqësore, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan në mes Egjiptit dhe Izraelit, pas shumë diskutimesh, manovrash, prapaskenash e dredhish të panumërta, të tre këta kalanderë u mblodhën në Kemp Dejvid, gjoja për të rregulluar çështjen e Lindjes së Mesme. Ata diskutuan kokë më kokë trembëdhjetë ditë. Madje, Xhimi Karteri u bë pjesëtar aktiv i këtyre bisedimeve, domethënë bisedimet nuk zhvilloheshin më midis Sadatit dhe Beginit, por midis Karterit, Sadatit dhe Beginit. Karteri u quajt kështu si një partner i tretë i këtyre bisedimeve për të vendosur gjoja paqen në Lindjen e Mesme.

Natyrisht nga e gjithë kjo “punë”, u ngrit mali e polli një mi. Ky mi përfaqëson atë çka “fitoi” ose nuk fitoi populli palestinez dhe në përgjithësi popujt arabë. Në Kemp Dejvid, sipas komunikatës, imperializmi amerikan arriti “të përfundonte” njëfarë pajtimi në mes Izraelit të Beginit dhe Egjiptit të Sadatit për një paqe të përkohshme, për një rregullim të përkohshëm të zonës së Cisjordanisë, të rripit të Gazës dhe të shkretëtirës së Negevit.

Në të vërtetë asgjë konkrete nuk u arrit. Mund të themi se u përcaktua vetëm që brenda 5 vjetësh duhet të veprohet në atë mënyrë që pjesërisht Izraeli të tërhiget nga bregu perëndimor i lumit Jordan (Cisjordania) dhe nga Gaza, me qëllim gjoja që aty të vendoset autoromia e banorëve palestinezë të këtyre zonave. Administrata palestineze autonome, natyrisht, do të garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kurdoherë e indirekt do të jetë nën sundimin ose vëzhgimin e Izraelit, të Egjiptit dhe të Jordanisë.
Egjiptit iu dhanë edhe disa satisfaksione të vogla. Kështu, për shembull, u bë fjalë për njëfarë tërheqjeje të Izraelit nga një pjesë e gadishullit të Sinait.

E gjithë kjo është një manovër djallëzore e imperializmit amerikan dhe e dy agjentëve të tij, Sadatit dhe Beginit. Kjo është, si me thënë, një fitore e përkohshme për imperializmin amerikan, sepse, siç thashë më lart, është caktuar që brenda 5 vjetëve gjoja do të punohet për të arritur në një “vetëqeverisje” në bregun perëndimor të lumit Jordan dhe në rripin e Gazës. Kjo e ashtuquajtur vetëqeverisje gjatë kësaj kohe do të ketë njëfarë force policore të vetën në këto rajone, por në to kurdoherë do të jenë të pranishme forcat ushtarake e policore izraelite për të ruajtur kufijtë, si dhe forcat jordaneze. Kështu palestinezët, natyrisht, do të kenë vetëm hapësat e kashtës. Dhe në rast se arrihet një statukuo e tillë, siç u vendos në Kemp Dejvid, atëherë mund të nënshkruhet një marrëveshje paqeje midis Egjiptit dhe Izraelit. Gjithë synimi është që gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare imperializmi amerikan të ketë njëfarë qetësie për ta shtrydhur mirë “lopën” arabe, që nafta të rrjedhë me lehtësi në cisternat dhe në naftësjellësit amerikanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të zhvillojnë një fushatë intrigash në të gjitha shtetet arabe për të pranuar vendimet e Kemp Dejvidit dhe për të arritur në një konkluzion të përbashkët rreth një paqeje gjoja të përgjithshme.

Mirepo palestinez me të drejtë asgjë nuk pranon në gjithë këtë dallavere të Sadatit, të Beginit dhe të Xhimi Karterit, sepse në fakt, nuk fiton asgjë. Atdheu i tij është i pushtuar, prandaj me të drejtë ai do të luftojë deri në fund për çlirimin e tokave të atdheut të vet dhe për vendosjen e një qeverie të vërtetë të popullit palestinez, pa ndërhyrje dhe pa tutelë të armiqve të tij të përhershëm.

Por është për t’u çuditur se me paturpësinë më të madhe në komunikatë thuhet se marrëveshja e arritur bëhet edhe me pjesëmarrjen e Jordanisë, kurse kjo nuk ishte fare në Kemp Dejvid. Qeveria jordaneze e mbreti Husein, megjithëse dihet ç’janë, deklaruan se s’kanë asnjë angazhim për sa është vendosur në Kemp Dejvid. Deklaratë bëri edhe mbreti Saud i Arabisë, i cili nuk e pranon marrëveshjen e Kerrip Dejvidit, për arsye se nuk u lejua formimi i një shteti palestinez, nuk u çliruan tokat arabe dhe Jerusalemi i pushtuar nga Izraeli. Kështu vepruan, natyrisht, edhe Siria, e cila e quan Sadatin tradhtar të kombit arab, edhe Algjeria, Maroku, Libia dhe të gjitha vendet e tjera arabe. Pra e gjithë kjo dallavere u bë vetëm në mes tre kalanderëve.

Natyrisht, për të bindur ata që kundërshtuan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre 5 vjetëve do të bëjnë dallavere të tjera të panumërta, bile këto filluan. Në fakt, pas botimit të komunikatës sekretari i Departamentit të Shtetit, Sajrus Vens, u nis për në Lindjen e Mesme që të bisedojë me mbretin Saud, me mbretin Husein, me Sadatin, me Asadin etj., me qëllim që si e si t’i bindë, t’u bëjë presione ose t’u jape “këste” që të pranojnë zgjidhjen që i dha kësaj çështjeje të përkohshme Xhimi Karteri. Kështu do të vejë kjo punë.

Në këtë mes Kina botoi në shtypin e saj një njoftim për marrëveshjen e Kemp Dejvidit. Tani për tani nuk mban qëndrim të hapët, por kuptohet se ajo qëndron në anën e imperializmit amerikan dhe të Sadatit. Më vonë do ta shfaqë më hapur këtë mbështetje, sepse ajo Lufton për statukuonë aktuale në Lindjen e Mesme, domethënë që atje të sundojë imperializmi amerikan e jo vetëm atje po kudo në botë, bile edhe afër saj në Japoni, në Kore, në Tajvan e gjetkë dhe Kina të përfitojë nga lëmoshat e nga kreditë e tij për t’u bërë superfuqi. Dhe tërë kjo politikë bëhet për arsye se gjoja luftohet socialimperializmi sovjetik.

Natyrisht edhe socialimperializmi sovjetik përfiton nga këto situata dhe ndodhet automatikisht në krah të regjimeve të tjera, gjoja të forta, që mbajnë qëndrim kundër marrëve.shjes Sadat-Begin. Ne duhet të përgatitim një artikull që ta demaskojmë këtë lojë të imperializmit amerikan, i cili kërkon të mbajë në robëri popujt arabë, t’i shfrytëzojë këta, t’i intrigojë, t’i përçajë, të bëjë që populli palestinez të mos fitojë kurrë tokat e veta dhe të mos vendosë kurrë qeverinë e tij. Njëkohësisht të demaskojmë Izraelin, i cili është vegla e përhershme barbare fashiste e imperializmit amerikan në Lindjen e Mesme./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne