Nëse presidenti amerikan do të vazhdojë me një operacion të tillë, kjo mund të çojë në “shkatërrimin e NATO-s nga brenda”, raporton Daily Mail.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar komandantët e tij më të lartë të hartojnë një plan për një pushtim të mundshëm të Grenlandës – një veprim që mund të çojë potencialisht në një kolaps të plotë të NATO-s, raportoi Daily Mail të shtunën, duke cituar burime.
Presidenti amerikan prej kohësh ka kërkuar të marrë kontrollin e Grenlandës, një territor autonom nën sovranitetin danez, duke përmendur shqetësime sigurie dhe nevojën për të frenuar Rusinë dhe Kinën, ndërsa nuk ka përjashtuar një opsion ushtarak për marrjen e ishullit. Ky qëndrim e ka vënë atë në përplasje me anëtarët evropianë të NATO-s, të cilët janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës.
Sipas Daily Mail, Trump i ka kërkuar Komandës së Përbashkët të Operacioneve Speciale të përgatisë plane pushtimi, por Shefat e Shtabit të Përgjithshëm po kundërshtojnë, duke argumentuar se një veprim i tillë do të ishte i paligjshëm dhe pa mbështetje nga Kongresi. Një burim i tha gazetës se gjeneralët e lartë “janë përpjekur ta shpërqendrojnë Trump-in duke folur për masa më pak kontraverse”, si për shembull një “goditje ndaj Iranit”.
Raporti tha se shtytja për të marrë Grenlandën është udhëhequr nga disa këshilltarë të Trump-it, përfshirë ndihmësin politik Stephen Miller, të cilët janë inkurajuar nga sulmi i fundit i SHBA-së ndaj Venezuelës dhe tani duan të veprojnë shpejt për të siguruar ishullin përpara se Rusia ose Kina të ndërmarrin ndonjë hap.
Një burim diplomatik paralajmëroi se pushtimi mund të çojë në “shkatërrimin e NATO-s nga brenda”. Ai shtoi se disa “zyrtarë evropianë dyshojnë se ky është qëllimi i vërtetë i fraksionit të ashpër MAGA rreth Trump-it… Pushtimi i Grenlandës mund t’i detyrojë evropianët të braktisin NATO-n. Nëse Trump dëshiron t’i japë fund NATO-s, kjo mund të jetë mënyra më e përshtatshme për ta bërë këtë.”
Diplomatë britanikë, të cituar nga Daily Mail, kanë sugjeruar se Trump e sheh operacionin në Grenlandë si një mënyrë për të shpërqendruar votuesit amerikanë nga gjendja e ekonomisë së SHBA-së përpara zgjedhjeve afatmesme. Në këtë kuadër, një nga burimet e medias sugjeroi se Trump mund të ndjekë një qasje përshkallëzuese në afat të shkurtër, përpara se të kalojë drejt një kompromisi.
Ndërkohë, Daily Telegraph raportoi se anëtarët evropianë të NATO-s po diskutojnë vendosje të mundshme në Grenlandë, përfshirë trupa, anije dhe avionë, për të mbrojtur Arktikun dhe për të qetësuar shqetësimet e Trump-it. / RT
















