Turqia mirëpret armëpushimin Iran-Izrael dhe u bën thirrje palëve ta zbatojnë

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë përshëndeti armëpushimin Iran-Izrael dhe u bëri thirrje palëve që ta “zbatojnë plotësisht” armëpushimin, transmeton Anadolu.

Ministria publikoi një deklaratë me shkrim në lidhje me armëpushimin midis Izraelit dhe Iranit.

“Ne e mirëpresim lajmin se Izraeli dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim. U bëjmë thirrje palëve që të zbatojnë plotësisht armëpushimin gjatë periudhës kritike që vjen”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën e publikuar jepet mesazhi se duhet të ndërmerren hapat drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të përhershme me vendosmëri në një kohë kur Lindja e Mesme “ka nevojë për paqe dhe stabilitet më shumë se kurrë”.

Më tej përmendet se mbajtja e hapur e kanaleve të dialogut dhe diplomacisë është me rëndësi jetike, duke shtuar se procesi i përjetuar ka treguar edhe një herë se çështja palestineze, e cila është në rrënjë të shumë problemeve në Lindjen e Mesme, duhet të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndërkaq theksohet se Turqia është e gatshme të mbështesë dhe të japë kontribute konstruktive në të gjitha përpjekjet për të siguruar paqen në rajon./aa

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne