U kapën me 3 kilogramë kokainë, gjykata cakton masën e sigurisë për 3 të rinjtë

Gjykata caktoi masën e sigurie “arrest në burg” me afat për tre të rinjtë e arrestuar nga operacioni “3 yjet”, të akuzuar për mbajtjen e një sasie prej 3 kg kokaine.

Për Genis Mustafën u caktua “arrest në burg” me afat 45 ditë, ndërsa për Robert Domin dhe Andrea Demën “arrest në burg” për 30 ditë. Tre të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues për akuzën.

Genis Mustafa, banakier në një bar në kryeqytet ka pohuar se një mik i tij e kishte prezantuar me një person tjetër disa muaj më parë. Disa ditë më parë ky person, sipas Mustafës i ka dhënë një pako për t’ia ruajtur.

Pakon e kishte lënë në  makinën e tij të parkuar pranë rrugës “Myslym Shyri”. Ditën e arrestimit ky person, që sipas avokatëve, ka qenë i infiltruar i policisë, i ka kërkuar takim.

Kanë pirë një kafe dhe janë drejtuar për tek makina, ku edhe ka ndërhyrë policia. Në mjet është gjetur kokaina dhe është prangosur Mustafa, ndërsa i dyshuari si i infiltruar është larguar. Pak metra më tutje janë ndaluar dy personat e tjerë.

Avokatët kanë pretenduar se në dosje nuk ka autorizim nga prokuroria për kryerje të veprimeve të simuluara./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne