UNRWA-ja: Pothuajse e gjithë toka bujqësore në Gaza është shkatërruar ose është e paarritshme

UNRWA-ja paralajmëron për rritje të çmimeve të ushqimeve, duke bërë thirrje për ndihmë humanitare pa kufizime në enklavë.

Dy vjet pas gjenocidit izraelit, pothuajse e gjithë toka bujqësore në Rripin e Gazës është shkatërruar ose është bërë e paarritshme, duke i lënë familjet pa të ardhura dhe duke çuar çmimet e ushqimeve në nivele të paprecedenta, tha të premten Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

“Pothuajse e gjithë toka bujqësore e Gazës është shkatërruar ose e paarritshme”, tha agjencia në platformën e rrjeteve sociale X.

“Një kilogram domate që dikur kushtonte 60 cent tani kushton 15 dollarë, nëse gjendet fare”, thonë nga UNRWA-ja.

Organizata tha se familjet që më parë mbështeteshin në bujqësi “tani nuk kanë asnjë të ardhur”, dhe se edhe pse disa produkte ushqimore kanë filluar të rikthehen në tregje, “njerëzit nuk mund t’i përballojnë ato.”

“Derisa sektori bujqësor i Gazës të rindërtohet, duhet të ketë një rrjedhë të pakufizuar të ndihmës”, tha UNRWA-ja.

Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës tha në një deklaratë të enjten se gjithsej 653 kamionë ndihmash janë lejuar të hyjnë në territor që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit më 10 tetor.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit hyri në fuqi në kuadër të një plani të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së Izraelit dhe për të rindërtuar territorin palestinez.

Sipas marrëveshjes, 600 kamionë me ndihma humanitare duhet të hyjnë çdo ditë në Gaza, përfshirë edhe ata që transportojnë karburant dhe gaz për gatim.

Që nga tetori 2023, sulmet izraelite kanë vrarë pothuajse 68 mijë palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, duke e bërë rajonin pothuajse të pabanueshëm./trtbalkan

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne