Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ndikimin që ka përhapja e urrejtjes dhe dhunës nëpërmjet mediave sociale, duke theksuar se kjo është përshkallëzuar nga reduktimi i kontrolleve të fakteve dhe moderimit të përmbajtjes në platformat online.
Guterres paralajmëroi se vendimet e fundit për heqjen e kontrollit të fakteve në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nga kompania Meta, që është pronar i Facebook-ut, po kontribuojnë në rihapjen e mundësive për përhapjen e dezinformacionit, urrejtjes dhe kërcënimeve.
Ai theksoi rëndësinë e mediave sociale për të mundësuar shkëmbimin e ideve dhe debatin e respektueshëm, por gjithashtu theksoi se dhuna verbale në internet mund të shkaktojë dhunë fizike në jetën reale. Guterres shtoi se rikthimi i këtyre praktikave mund të çojë në kufizimin e lirisë së fjalës, pasi individët mund të ndihen të frikësuar për të shprehur mendimet e tyre në këto platforma.
“Dhuna verbale në internet mund të kalojë lehtësisht në dhunë fizike në jetën reale”, paralajmëroi ai.
Në fjalimin e tij, ai po ashtu theksoi se të drejtat e njeriut janë po “mbytur” në shumë pjesë të botës, duke përmendur luftërat, konfliktet dhe ndryshimet klimatike si faktorë që po kërcënojnë këto të drejta. Guterres kritikon autoritarizmin dhe luftënxitësit, të cilët, sipas tij, po shkelin ligjin ndërkombëtar dhe kartën e OKB-së, duke shtypur opozitën dhe duke injoruar rregullat e përgjithshme të shtetit të së drejtës. Ai nuk përmendi shtete të veçanta, por mesazhi i tij ishte i qartë për rrezikun që kërcënon paqen dhe sigurinë globale./BW