Ushtarët izraelitë pushtuan një xhami dhe lexuan lutjet hebraike nga altoparlantët gjatë bastisjes së tyre të përgjakshme në qytetin e Jeninit në Bregun Perëndimor të pushtuar. Përderisa vazhdon bastisja dhe rrethimi i ushtrisë izraelite në qytetin e Jeninit dhe kampin e refugjatëve në Jenin, ushtarët izraelitë kryen sulm të shëmtuar në një xhami në qytet.
Ushtarët hynë në një xhami me këpucë, njëri prej tyre mori mikrofonin e xhamisë dhe recitoi një lutje hebraike. Ushtari që mbante mikrofonin këndoi lutjen “Shema Yisrael” (Dëgjo o Izrael) që hebrenjtë recitojnë në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes ndërsa miqtë e tij e regjistruan.
Në pamjet, shihet se lutja hebraike po jehonte nga altoparlantët e xhamisë, ndërsa disa ushtarë izraelitë po qeshnin. Grupet fanatike hebreje i shpërndanë këto pamje me lëvdata në llogaritë e tyre në rrjetet sociale ndërsa mosrespektimi ndaj xhamisë tërhoqi reagime të mëdha nga shumë përdorues të mediave sociale.
– Ministri izraelit i ekstremit të djathtë vlerësoi mungesën e respektit në xhami
Ministri racist i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir vlerësoi ushtarët që nuk respektuan xhaminë në Jenin. Ministri Ben-Gvir ndau imazhet në llogarinë e tij në Telegram dhe tha: “Një nga ushtarët tanë heroik që këndon Shema Izraelin në një xhami në Jenin”.
Forcat izraelite kanë vrarë deri tani 11 palestinezë në qytetin e Jeninit dhe në kampin e refugjatëve në Jenin, ku prej 3 ditësh kanë rrethuar dhe kryer bastisje të përgjakshme. Ushtria izraelite, e cila e mban kampin nën rrethim, gjithashtu kufizon hyrjen e ekipeve mjekësore palestineze./AA