Ushtria izraelite bombardon një shtëpi dhe një xhami në Gaza

Të paktën 4 palestinezë u vranë si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite në një shtëpi në Rafah, në jug të Rripit të Gazës. Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, avionët luftarakë izraelitë sulmuan një shtëpi në lagjen Tel es-Sultan në perëndim të qytetit Rafah. Si pasojë e bombardimit të shtëpisë së familjes Abu Libde, humbën jetën 4 persona, mes tyre edhe një fëmijë.

Ushtria izraelite bombardoi një xhami në veri të Rripit të Gazës

Avionët luftarakë izraelitë bombarduan Xhaminë e Dëshmorëve Fahura, e vendosur në perëndim të kampit të refugjatëve Jibaliya në veri të Rripit të Gazës. Si pasojë e bombardimeve ka të vrarë dhe të plagosur. Trupat e atyre që humbën jetën dhe 9 të plagosurve u sollën në spitalin “Kemal Advan” në Beit Lahiya. Automjetet e ushtrisë izraelite hynë në qytetin Beit Hanoun në veri të Gazës, rrethuan një shkollë ku palestinezët e zhvendosur u strehuan dhe hapën zjarr aty. Njëkohësisht me sulmin tokësor të ushtrisë izraelite, u ndërprenë energjia elektrike dhe interneti në Beit Hanoun.

Rafah, streha e fundit e palestinezëve të zhvendosur në Gaza

Për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit që nga 7 tetori 2023, të paktën 1.9 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2.3 milionë. Shumica e këtyre palestinezëve u strehuan në qytetin Rafah, të cilin Izraeli e kishte shpallur më parë si “zonë të sigurt”. Popullsia e Rafahut, e vendosur në pjesën më jugore të Rripit të Gazës, në kufirin me Egjiptin, kishte 280 mijë banorë para sulmeve izraelite ndërsa tani është rritur më shumë se 5 herë, duke arritur në gati 1.5 milion.

Shumica e palestinezëve që shpëtuan nga sulmet izraelite dhe u strehuan në Rafah, ku nuk ka akomodim dhe infrastrukturë të mjaftueshme, po luftojnë për të mbijetuar në kampet me tenda të improvizuara. Dyshohet se civilët nuk do të kenë strehë në Rripin e Gazës nëse ushtria izraelite kryen sulm tokësor në Rafah, ku shpesh kryen sulme ajrore. Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, u vranë 33.797 palestinezë, përfshirë të paktën 14.500 fëmijë dhe 9.560 gra ndërsa 76.464 persona u plagosën./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne