Të paktën 40 palestinezë u vranë në një sulm të ushtrisë izraelite herët sot në jug të Rripit të Gazës. Një burim mjekësor në Spitalin Evropian të Gazës tha për Anadolu se 32 palestinezë të vrarë u sollën në spital si rezultat i bombardimeve izraelite mbi shtëpitë e palestinezëve në zonat në pjesën lindore të qytetit Khan Younis. Një tjetër burim mjekësor në Kompleksin Mjekësor Nasser tha për Anadolu se tetë viktima u nxorën nga rrënojat e shtëpive të goditura.
Përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë për persona të tjerë që janë ende të zhdukur, shtoi burimi. Dëshmitarë okularë thanë për Anadolu se ushtria izraelite kreu një inkursion të papritur në agim në lindje të Khan Younisit, duke hapur zjarr të drejtpërdrejtë mbi shtëpitë palestineze.
Forcat izraelite penguan ekipet e shpëtimit dhe ambulancat që të arrinin në shtëpitë e goditura, njofton korrespondenti i Anadolus në terren. Sulmi i papritur izraelit bëri që qindra palestinezë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, shtuan dëshmitarët.
Dhjetëra shtëpi, toka bujqësore dhe infrastrukturë u dëmtuan rëndë pas sulmit, pas së cilës ushtria u tërhoq nga zona. Izraeli e ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Mbi 41.600 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe rreth 96.500 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza./AA