Departamenti i Shtetit të SHBA-së deklaroi se nuk ka personel amerikan të vrarë apo të plagosur në sulmin raketor të Iranit ndaj Izraelit. Lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se nuk kanë informacion për ndonjë viktimë civile në Izrael.
“Nuk po flas për humbje të ndonjë qytetari amerikan atje. Nuk ka as dëme në asnjë objekt të SHBA-së. Ka raport për një palestinez të vdekur në Bregun Perëndimor”, tha Miller. Ai shtoi se ata kanë paralajmëruar për një kohë për kërcënimin që vjen nga armatimi dhe financimi i grupeve nga Irani në Lindjen e Mesme. “Sulmi i mbrëmshëm zbuloi rrezikun e këtyre veprimeve”, tha Miller.
“Në Liban ofrojmë informacione dhe udhëzime të rregullta për zhvillimet për rreth 6 mijë shtetas amerikanë të regjistruar në sistemet e informacionit”, theksoi Miller.
“Sigurisht, ky sulm duhet të ketë pasoja për Iranin”
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Miller në deklaratën e tij tha: “Ka patur shumë herë gjatë 12 muajve të fundit kur kemi menduar se mund të përfundojmë me një zjarr si ky. 13 prilli ishte një prej tyre”. Në pyetjen se çfarë lloj përgjigje do t’i jepet sulmit të Iranit kundër Izraelit, Miller u përgjigj: “Sigurisht, ky sulm duhet të ketë pasoja për Iranin. Ne e kemi bërë të qartë se duhet të ketë pasoja. Nuk do të hyj në atë se cilat do të jenë ato. Por, ka gjëra që do t’i koordinojmë me homologët tanë izraelitë”.
Ai theksoi se SHBA-ja deri më tani ka mundur të parandalojë “shpërthimin e një lufte në shkallë të gjerë” me një kombinim kompleks të parandalimit dhe diplomacisë. Miller potencoi se përpjekjet e SHBA-së në këtë drejtim do të vazhdojnë në ditët dhe javët në vijim./AA