VIDEO/ ‘Vrite, vrite!’ Dalin pamjet e sherrit, ja si grupi Rraja dhunojnë barbarisht vëllezërit Maja

Dy vëllezërit Bilbil Maja dhe Jashar Maja dhunohen brutalisht nga një grup personash për shkak se u ankuan se gurorja në pronësi të kushëririt të deputetit Rrahman Rraja se po u dëmtonte banesat.
Mes dhunuesve identifikohen Rexhep Rraja djali i deputetit Rrahman Rraja dhe vëllai i tij.

KRUJE – Me shkopinj gome një grup personash të veshur me të shkurtra mësyjnë një lokal në aksin Fushë Krujë – Thumanë dhe nisin të godasin dy vëllezërit Bilbil Maja dhe Jashar Maja të cilët ishin të ulur në tavolinë. Ngjarja u shënua mesditën e 6 korrikut.

Report TV ka identifikuar se mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Vëllezërit Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, krijojnë shqetësime në banesat e tyre. Mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores, kur grupi i dhunuesve mësyn lokalin dhe ata bëhen prehë e një dhune barbare.

Dhuna barbare
“Bjeri! Bjeri! “Më fort më fort!”…Dëgjohet dikush që nxit burrat me shkopinj gome të qëllojnë pa ndaluar edhe më fort ndaj dy vëllezërve të cilët ishin ankuar se punimet e gurores në Borizanë për të cilën ka leje shfrytëzimi Përparim Rraja po u dëmtonte banesat e tyre por dhe të zonës përreth.

Dhuna filmohet nga një person ndërsa nxitësi vijon duke përdorur dhe fjalor fyes me qëllim të nxisë edhe më fort dhunën.

“Bjeri! Gjuaje k… Më fort! Më fort! thotë ai dhe burrat intensifikojnë më shumë goditjet me grushta shkelma e shkopinj drejt dy vëllezërve Maja, të cilët ngrihen nga tavolina dhe janë në mes të lukunisë së dhunuesve.

Grushta, shkelma e shkopinj gome!

Burri i veshur me bluzë bojëqiell, i gjakosur në kokë përpiqet të largohet për tu mbrojtur.

Bjeri! – thërret sërish nxitësi dhe dhunuesit godasin e godasin pa pushim. Burri përpiqet të gjejë daljen. Ndërkohë një burrë i veshur me të bardha në dorën e djathtë ka pistoletën ndërsa me të majtën e godet me grusht.

Dhuna vijon dhe në verandë të lokalit, sa burri arrin të bjerë pa ndjenja. Por sërish dhuna nuk ka të ndalur.

“Vrite! Vrite!” thërrasin dhe burrin e godasnin me grushta, shkelma e shkopinj gome kudo.

Djali i deputetit socialist me shkop gome, vëlla i deputetit me pistoletë

Nga sa identifikohen burri me bluzë të zezë dhe me shkop bejsbolli në dorë dhe qëllon Bilbil Majën që ka rënë pa ndjenja në verandën e lokalit është djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja

Ndërsa personi i veshur me të bardha që në njërë dorë ka pistoletën dhe me tjetrë qëllon me grusht në fytyrë Bilbilin është Flamur Rraja. Mes dhunuesve është dhe një burrë i veshur me bluzë të zezë, i identifikuar si Xhelali, vëllai tjetër i deputetit Rrahman Rraja.

Policia bëri të ditur dje se në Komisariatin e Krujës kishte shoqëruar shtetasit Xhelal Rraja, (vëllain e deputetit) dhe Përparim Rraja (kushëririn e deputetit) që kishte licencën e gurores, dhe po punon për shoqërimin e dy personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt/Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne