VOA: Dështon seanca e parlamentit mbi tekstet shkollore në Kosovë

Një debat parlamentar i thirrur nga opozita në Kosovë mbi mënyrën e furnizimit me tekste të nxënësve të shkollave fillore, dështoi për shkak të bojkotimit të seancës së jashtëzakonshme nga deputetët e pushtetit.

Ndonëse ka 15 vjet që ministria e Arsimit në Kosovë i shpërndan falas tekstet shkollore, këtë vit kjo ministri vendosi që t’i kompensojë prindërit pasi t’i kenë blerë ato.

Kompensimi për blerjen e teksteve shkollore po bëhet nëpërmjet platformës digjitale ‘ekosova’ ku për nxënësit nga klasa e parë deri të pestën do të ndahen nga 80 euro, ndërkaq për ata nga klasa e gjashtë deri te e nënta do të ndahen nga 30 euro për materiale të tjera meqë tekstet shkollore i kanë të siguruara nga viti paraprak.

Rruga e zgjedhur nga pushteti nxiti reagimin e partive opozitare të cilat kritikuan ashpër qeverinë.

 

 

“Kjo është e turpshme për më shumë edhe shkelje e ligjit. Përtej përgjegjësisë politike këta njerëz dhe veçanërisht kjo ministre ka përgjegjësi penale, e kanë shkelë ligjin, e kanë trefishu koston e librave duke u thirr në kursime, në vend se me kushtu 4,8 milionë euro sot i shpenzojnë 12 milionë, do ta imponojnë humbjen e kohës, humbjen e orëve për vitin e dytë me radhë”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Këtë vit ministria e Arsimit dështoi, dështoi të bëj pazar me shtëpitë botuese, dështoj të merret vesh dhe doli në konferencë katër ditë para se të filloj viti shkollor dhe ju tha prindërve meqenëse ne nuk po mund ta përballojmë koston me paratë e ministrisë që të furnizojmë me libra atëherë po ju kalojmë juve mjetet dhe përballojeni këtë kosto”, tha deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Deputetë të lëvizjes Vetëvendosje thanë në një konference me gazetarë thanë se debati i këkruar nga opozita është i parakohshëm.

“Ky vendim, unë ju premtoj edhe si kryetar i komisionit në emër të kolegëve të mijë të komisionit do të diskutohet edhe në komision, pse jo edhe në seancë por vetëm pasi të kemi epilogun e qartë të këtij procesi në mënyrë që të kemi të dhënat edhe nga terreni se si ka shku si një praktikë e re, cilat kanë qenë epërsitë, cilat kanë qenë sfidat, a mund të vazhdojmë prapë edhe vitin e ardhshëm por jo seanca të cilat zhvillohet përmes cilësimeve arbitrare dhe me pasojë të prishjes së disponimit të fëmijëve në këtë fillim vit shkollor shumë të mbarë”, tha deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Ardion Gola.

Qindra mijëra nxënës në Kosovë filluan të premten e javës së kaluar vitin e ri shkollor ndërsa disa prindër edhe sot janë parë duke blerë libra shkollorë.

“Më vështirë se vitin e kaluar sepse vitin e kaluar kemi shkuar në klasë dhe i kemi marrë librat dhe ka qenë më në rregull ndërsa tash 70 për qind të librave i kam siguru më herët tash sot prapë erdha për të siguruar pjesën tjetër”, tha Lulzim Haziri nga Prishtina.

“Jo vetëm që është brengë por është një skandal shumë i madh, të vijnë pa tekste shkollore të pasiguruara dhe të krijohet një aplikacion i tillë i cili ja vështirëson prindërve duke e ditur nivelin të themi të zonave rurale ku njoh familje që nuk kanë as internet, nuk kanë qasje në internet”, tha Agron Gashi.

Ministria e Arsimit tha se deri tani numri i tërësishëm i aplikimeve ka shkuar në mbi 133 mijë, duke theksuar se platforma për kompensim do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit shtator.

Ministria tha se njëkohësisht ka nisur një proces të rishikimit të të gjitha teksteve shkollore me synim përmirësimin e cilësisë në arsim.

Ekspertë të arsimit në Kosovë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin për ngecje të shumta që sipas tyre e karakterizojnë sistemin arsimor të vendit. Ata theksojnë se vlerësimet ndërkombëtare nxjerrin në pah se nxënësit në Kosovë janë 7.8 vite prapa në cilësi nga bashkëmoshatarët në vende të tjera./VOA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne