Seanca e radhës për grupin që akuzohen për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ku i akuzuari kryesor është Leonard Duka është shoqëruar me debate dhe tensione. Nëna e Malkos, u nxjerr nga salla, pasi shpërtheu në akuza e kërcënime ndaj të pandehurit. Leonard Duka ka pranuar se është takuar me Ervis Martinajn, ndërsa mohoi të ketë qenë përdorues i SKY ECC Babai i tij Muhamet Duka nuk erdhi të dëshmojë si dëshmitarë duke njoftuar gjykatën se është sëmurë.
Gjyqi për grupin e strukturuar kriminal që akuzohen për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ku i akuzuari kryesor është Leonard Duka, u shoqërua me debate, tensione e kërcënime. “S’të fal gjakun e djalit kurrë, do ta vras! Më fute djalin në dhe”, është dëgjuar të thotë nëna e Santiago Malkos mes lotësh, ndërsa stafi i sigurisë e nxori atë nga salla. Në këtë seancë, pritej dëshmia e babait të Leonard Dukës, Muhamet Duka, por ai nuk u paraqit për shkak të problemeve shëndetësore. Ndërkohë, Leonard Duka ka dhënë dëshminë e tij, duke mohuar çdo akuzë të ngritur ndaj tij
Nuk kam patur Sky Ecc. Nuk ia kam idenë ç’janë këto kode. Nuk kam patur asnjë kontakt me ndonjë person me SKY Ecc. Nuk jam unë personi në foto. Ervis Martinajn e kam takuar por nuk kam patur komunikime të tjera me të. Babai im nuk ka patur asnjë problem.
SPAK pretendon të kundërtën ku thotë se një nga shkëndijat e përplasjeve mes grupeve kriminale ka qenë pikërisht dhunimi i babait të Leonard Dukës. Ndërkohë që dërgoi në gjykatë, dhjetra fashikuj me biseda të SKY EC, ku Duka komunikonte me Martinajn rreth mosmarrëveshjeve në biznes deri edhe në plane vrasjesh në dëm të njëri-tjetrit. Prokuroria ka dorëzuar prova të reja në dosje, duke përfshirë edhe komunikime të zbardhura në “Sky EÇ”, që sipas saj përforcojnë lidhjet mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt. Seanca u shty për një datë tjetër, ku u ripërsërit thirrja për të dëshmuar për Muhamet Dukën. Të pandehur në këtë proces si pjesë e grupit kriminal që planifikuan dhe ekzekutuan mikun e ngushtë të Ervis Martinajt, Santiago Malkon, janë Leonard dhe Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga. Dy vite më parë Gjykata e Posaçme ka dënuar me 35 vite burg 2 të pandehurit në dosjen e vrasjes së ish-policit Santiago Malko në verën e 2019-ës në Tiranë. GJKKO dënoi me 28 vjet burgim Ilir Selmanin, ndërsa me 7 vite burgim Elvis Gaçajn.