Në tentativë për të lënë në hije protestat e studentëve dhe për të rritur figurën e tij si brenda ashtu dhe jashtë vendit, Vuçiç u fut në garën e madhe që po bëhet në Evropë për të organizuar takimin e shumëpritur Trump-Putin, për luftën në Ukrainë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur për problemet e fundit që kanë shkaktuar në Serbi sanksionet e SHBA ndaj kompanive ruse të naftës dhe gazit, gjithashtu edhe për marrëdhëniet e Beogradit me Uashingtonin dhe Moskën.
I ndodhur në këto kushte, Vuçiç duket se po luan të gjitha kartat për të shpëtuar Serbinë nga kolapsi që do të sillte prishja e marrëdhënieve me njërin nga dy “peshqit” e mëdhenj ndërkombëtarë. Duke mësuar nga dinakëria e “mikut” të tij shqiptar, kryeministrit Edi Rama, Vuçiç gjeti “çelësin” e suksesit te organizimi i Samiteve ndërkombëtare.
Në tentativë për të lënë në hije protestat e studentëve dhe për të rritur figurën e tij si brenda ashtu dhe jashtë vendit, Vuçiç u fut në garën e madhe që po bëhet në Evropë për të organizuar takimin e shumëpritur Trump-Putin për luftën në Ukrainë.
Duke u munduar të vijojë lojën e tij me dy porta, Vuçiç tha se Serbia ishte një vend unik në botë me neutralitet të plotë, ku ka mbështetje të madhe për presidentin amerikan Donald Trump dhe atë rus, Vladimir Putin, për këtë arsye, shtoi ai, Beogradi është vendi i duhur për organizimin e një takimi të tillë.
“Unë kurrë nuk e kam shtyrë veten në probleme botërore, por Serbia është e interesuar të jetë vendi i takimit mes presidentit të Rusisë dhe presidentit të Amerikës. Ne jemi plotësisht të përgatitur për të garantuar sigurinë e të dy presidentëve. Pse? Serbia nuk është vetëm formalisht jashtë blloqeve ushtarake, si disa vende të tjera që ofrojnë mikpritësin e tyre, Serbia është thelbësisht jashtë të dy blloqeve, NATO-s dhe CSTO-së. Nuk ka asnjë vend të vetëm që mund të krahasohet me Serbinë për nga niveli i mbështetjes për Presidentin Trump. Dhe nga ana tjetër, Serbia është një vend ku presidenti Putin është ende shumë, shumë popullor”, tha Vuçiç në një intervistë për “TV Pink”, teksa shtoi se Serbia është objektivi i vetëm në glob që do t’i përshtatet si Trumpit ashtu edhe Putinit.
Një lëvizje e tillë nëse do të realizohej do t’i sillte benefite pafund Serbisë, e cila do të arrinte të përfitonte nga presidenca e Trump, tolerime lidhur me Kosovën dhe nga ana e Rusisë, rivendosjen e dërgimit të naftës dhe gazit me çmim shumë herë më të lirë.
Një mundësi e tillë duket se i ka shpëtuar kryeministrit tonë, i cili prej vitesh është në “gjueti” për të organizuar samite të ndryshme, qoftë edhe nga ata pa kurrfarë interesi kombëtar.
Megjithatë, duhet ta themi se Vuçiç u tregua më i “shkathët” se Rama në këtë rast, por kjo për shkakun e vetëm se marrëdhënia e Shqipërisë me Rusinë nuk është në ditët e saja më të mira që pas asaj përplasjeje në OKB, mes Ramës dhe Lavrov vitin e kaluar./Pamfleti