Mediat damerikane pretendojnë se administratat e Washingtonit dhe Bagdadit do të fillojnë negociatat “së shpejti” në lidhje me të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Irak. CNN, duke cituar burime të njohura me çështjen, raportoi se zyrtarë nga të dy vendet do të diskutojnë fazën e ardhshme të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër organizatës terroriste DAESH.
Sipas lajmit, disa nga bisedimet që do të fillojnë së shpejti pritet të fokusohen në përcaktimin e fizibilitetit dhe kohës së përfundimit të pranisë ushtarake amerikane në Irak. “SHBA-ja preferon një kalendar të bazuar në kushtet në Irak, duke përfshirë vazhdimin e luftës kundër DAESH-it dhe stabilitetin e qeverisë dhe forcave irakiane të sigurisë”, thanë burimet për CNN, duke shtuar se diplomatë si dhe zyrtarë ushtarakë nga pala amerikane do të marrin pjesë në bisedime.
Në konferencën për media të mbajtur javën e kaluar, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pat Ryder, theksoi se forcat amerikane ishin në Irak me ftesë të qeverisë irakiane dhe tha: “Ne e vlerësojmë Irakun si partner. Ne do të vazhdojmë të konsultohemi ngushtë me ta. Nuk jam në dijeni të ndonjë kërkese zyrtare nga qeveria irakiane në këtë moment për largimin e forcave të Departamentit të Mbrojtjes”.
– Parlamenti i Irakut i bën thirrje SHBA-së të tërhiqet
Parlamenti i Irakut dënoi dje sulmet e fundit ajrore të SHBA-së kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Babil dhe Anbar. “Agresioni i vazhdueshëm i SHBA-së është një shkelje e qartë e sovranitetit të Irakut dhe mosrespektim i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Washingtoni”, tha parlamenti i Irakut në një deklaratë.
Në deklaratë i bëhet thirrje qeverisë irakiane të “përshpejtojë zbatimin e vendimit parlamentar për tërheqjen e plotë të forcave të huaja nga Iraku, pasi kërcënon sigurinë, stabilitetin dhe sigurinë e popullit irakian”./AA