Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur sërish 1Listën Serbe me 30 mijë euro, pasi ka konstatuar shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, duke pranuar ankesën e subjektit politik `Kosovski Savez`.
Sipas vendimit të marrë të mërkuren, PZAP vlerësoi se Lista Serbe ka vepruar në kundërshtim me rregullat e fushatës dhe detyrimet ndaj kandidatëve, duke vendosur materiale promovuese në hapësira publike në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq.
Si pasojë, ky subjekt politik është gjobitur me 30 mijë euro dhe është urdhëruar që menjëherë të largojë të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që lidhen me shkeljen.
Ankesa ishte dorëzuar më të martën, ndërsa PZAP ka ritheksuar se respektimi i Kodit të Mirësjelljes është thelbësor për garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm. Lista Serbe ishte ndëshkuar edhe ditë më parë, me një gjobë prej 20 mijë eurosh, për një rast tjetër të shkeljes së rregullave zgjedhore./bw


















