Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), e cila përfshin tri hapësira kryesore.
Shqipëria nisi sot procesin e regjistrimit të votuesve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për zgjedhjet e 11 majit, i cili vazhdon deri në 4 mars.
Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), e cila përfshin tri hapësira kryesore:
Hapësira e zgjedhësit: Kjo hapësirë u dedikohet individëve që krijojnë llogarinë e tyre personale në platformë dhe plotësojnë kërkesat për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve.
Moduli për shqyrtimin e kërkesave: Këtu, KQZ-ja shqyrton dhe trajton kërkesat e paraqitura nga zgjedhësit, duke siguruar trajtim transparent dhe të drejtë të çdo aplikimi.
Paneli statistikor në kohë reale: Ky panel ofron të dhëna statistikore të përditësuara në kohë reale për kërkesat dhe procesimin e tyre. Paneli është i aksesueshëm për partitë politike dhe organizatat, duke siguruar një pamje të qartë dhe të plotë të procesit.
Emigranti që kërkon të regjistrohet, fillimisht duhet të hapë një llogari në platformën (PER).
Emigranti, gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit sipas rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në platformën elektronike të regjistrimit të paktën një nga dokumentet që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në të njëjtën adresë që aplikojnë në platformën elektronike të regjistrimit nuk mund të jetë më shumë se 6 persona. Përjashtim nga ky rregull do të bëhet vetëm për arsye të përligjura dhe pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor (PER) do të lejojë regjistrimin e më shumë shtetasve shqiptarë.
Pas regjistrimit, KQZ-ja i kthen përgjigje emigrantit nëse kërkesa e tij është miratuar ose jo. Nëse KQZ-ja nuk miraton regjistrimin, i sqaron emigrantit për dokumentet që duhet t’i plotësojë me qëllim që të miratohet kërkesa.
Procesi i regjistrimit quhet i suksesshëm kur zgjedhësi paraqet të dhëna të plota dhe kërkesa miratohet.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj./Panorama