Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut “jashtëzakonisht e shqetësuar” për bombardimet e vazhdueshme izraelite në Gaza

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për bombardimet e vazhdueshme të Gazës qendrore nga forcat izraelite, që vetëm këto dy ditët e fundit ka marrë jetën e më shumë se 100 palestinezëve.

“Është veçanërisht shqetësuese që bombardimet e fundit intensive vijnë pasi forcat izraelite urdhëruan banorët nga jugu i Wadi Gazës (Lugina e Gazës) të lëvizin në Gazën e mesme dhe në Tal al-Sultan në Rafah”, tha zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Seif Magango.

Magango tha se Forcat Ajrore të Izraelit kryen më shumë se 50 sulme në Gazën qendrore të dielën, duke përfshirë tre kampe refugjatësh, përkatësisht kampet Al-Bureij, Al-Nuseirat dhe Al-Maghazi. “Dy sulme goditën shtatë ndërtesa banimi në kampin Al-Maghazi, duke vrarë rreth 86 palestinezë dhe duke plagosur shumë të tjerë. Një numër i panjohur njerëzish besohet se ende janë të bllokuar nën rrënoja”, tha ai.

Zyra e të drejtave e OKB-së tha se sipas organizatës ‘Mjekët pa Kufij’, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sulmet në Al-Maghazi dhe Al-Bureij është rritur që atëherë në të paktën 131. Izraeli vazhdon të bombardojë Rripin e Gazës nga ajri dhe toka në hakmarrje të sulmit ndërkufitar të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e vazhdueshme izraelite në enklavë është rritur në 20.674.

Të gjitha rrugët që lidhin tre kampet e refugjatëve janë shkatërruar, duke bllokuar arritjen e ndihmave tek ata në nevojë, ndërkohë strehimoret dhe spitalet që ende funksionojnë minimalisht janë jashtëzakonisht të mbipopulluara dhe me burime të pamjaftueshme.

“Ne ritheksojmë paralajmërimin tonë se të gjitha sulmet duhet të respektojnë rreptësisht parimet e të drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë dallimin, proporcionalitetin dhe masat paraprake në sulm”, tha Magango. “Forcat izraelite duhet të marrin të gjitha masat në dispozicion për të mbrojtur civilët. Paralajmërimet dhe urdhrat e evakuimit nuk i shfajësojnë ata nga të gjitha detyrimet e tyre të së drejtës humanitare ndërkombëtare”, shtoi ai./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne