Fondacioni “Mustafa Pasha”: Nuk kemi asnjë pikë të përbashkët me kopshtin “Bleta”

Pasi që në media dhe në rrjetet sociale u publikuan fotografi nga një objekt për të cilin mediat theksuan se është kopsht i vendosur në lagjen Çair të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup, me emrin “Bleta”, ndërsa në hapësirat e objektit një grup fëmijësh kryenin rite fetare, institucionet kompetente në mënyrë që ta hetojnë gjendjen e vërtetë dolën në terren.

Në lidhje me këto akuza, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për Anadolu Agency (AA) tha se “ekipi i inspektimit kur vizitoi vendin kishte hasur në ndërtesë të braktisur në oborrin e të cilës janë parë lodra për fëmijë”.

Nga Ministria e Arsimit për AA thonë se ajo nuk është Kopsht për fëmijë, por është shoqatë qytetare. Nga atje bëjnë të ditur se në hapësirat e kësaj shoqate inspektorët janë pranuar nga persona të shoqatës dhe është vërtetuar se në njërin nga objektet e kësaj shoqate është punuar me fëmijë dhe gra.

“Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka autoritetin për të kryer inspektim vetëm në institucionet edukative të verifikuara vetëm nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas dokumentacionit të paraqitur, bëhet fjalë për Shoqatën qytetare ‘Bleta – Nektar’, e cila është themeluar me Ligjin për shoqata dhe fondacione”, thonë nga kjo ministri.

Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme theksuan se janë të njoftuar me rastin në fjalë dhe momentalisht janë duke u zhvilluar hetimet. Në interes të hetimit, thonë nga kjo ministri, tani për tani nuk ka informacione që mund t’i ndajnë me publikun.

Mustafa Pasha: Kemi dorëzuar dokument se pretendimet janë të pavërteta

Në mediat vendase u potencua se dokumentacionin e plotë të objektit në të cilën vepronte kjo shoqatë, e mban pronari i Fondacionit “Mustafa Pasha”, i cili është shtetas i Turqisë. Mirëpo, “Mustafa Pasha”, fondacion për arsim, kulturë dhe ndihma humanitare, përgënjeshtron një gjë të tillë duke mohuar se objekti është në pronësi të pronarit të tyre.

Nga ky fondacion theksojnë se “Mustafa Pasha” është institucion zyrtar i cili që nga viti 2012 zhvillon punime me pikëpamje antropocentrike në sferën kulturore dhe atë të ndihmave humanitare në Maqedoni, në përputhje me ligjet e Maqedonisë.

“Ditëve të fundit, në disa portale që bëjnë publikime përmes medias sociale janë përhapur disa pretendime dhe lajme të pavërteta rreth organizatës sonë dhe themeluesve tanë. Disa qarqe në mënyrë të qëllimshme u përpoqën ta shfaqin fondacionin tonë se ka lidhje me kopshtin e quajtur ‘Bleta’, edhe pse fondacioni nuk ka asnjë lidhje me të, duke i shënjestruar kështu aktivitet që i realizon institucioni ynë. Por, përkundrazi, fondacioni ynë nuk ka asnjë lidhje dhe institucionin në fjalë”, thonë nga fondacioni ‘Mustafa Pasha’.

Nga atje bëjnë të ditur se është zhvilluar takim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ku është diskutuar rreth asaj se fondacioni nuk ka lidhje me pretendimet e pavërteta dhe se të gjitha aktivitetet kulturore dhe humanitare zhvillohen në përputhshmëri të plotë me ligjet e Maqedonisë. Poashtu theksohet se është dorëzuar edhe një dokument që dëshmon se fondacioni ka të drejtë në këtë çështje.

“Të gjitha pretendimet që u përhapën rreth nesh që nga dita e shtunë, janë të pavërteta dhe nuk kanë të bëjnë me ne. Këto pretendime, ose kanë buruar nga injoranca dhe janë shndërruar në lajme, ose i janë servirur medias në mënyrë të qëllimshme për krijuar perceptim të keq lidhur me ne”, thuhet në reagimin e fondacionit.

Ata në vijim theksojnë se fondacioni dhe anëtarët e tij do të hapin procedurë ligjore ndaj institucioneve dhe organizatave që prodhuan lajm në media pa ofruar asnjë dëshmi, siç thonë, duke i shtrembëruar fotografitë e vendit të quajtur “Bleta” sikur të jetë e tyre.

“Rrjedhimisht, personat dhe organizatat që shkelën të drejtat personale duke prodhuar lajm nga emri i fondacionit tonë dhe themeluesve tanë pa asnjë dëshmi ligjore dhe pa u brengosur, janë të detyruar që sa më parë t’i përmirësojnë lajmet e rreme të cilat i bënë, ose, përkundrazi, fondacioni ynë do t’i drejtohet rrugëve ligjore”, theksojnë nga fondacioni ‘Mustafa Pasha’./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne