Intervista e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse z. Grigori Karasin për gazetën “Albanian Daily News”, më 1 maj 2017

1. Shkëlqesia juaj, është një nder i madh për mua të zhvilloj këtë intervistë me Ju, sidomos tani, kur Rusia dhe Shqipëria po ndërmarrin hapa të përbashkët për t’i ҁuar marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë. Përgjigjet Tuaja do të ndihmonin lexuesit e gazetës ADN për të kuptuar më mirë lajmet kontradiktore në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të Minskut. Siç dihet, Perëndimi deklaron se Rusia nuk po i respekton këto marrëveshje dhe, për më tepër, është shprehur se ajo po ndjek një politikë agresive ndaj Ukrainës. Cili është qëndrimi zyrtar i qeverisë ruse për këtë çështje?
Në Rusi po ndjekin me dhimbje dhe me ankth krizën e vazhdueshme të sistemit në Ukrainë. Ne sinqerisht e përjetojmë këtë fatkeqësi që ka goditur popullin vëlla ukrainas.
Shkaqet e ngjarjeve në Ukrainë mund të vlerësohen në mënyra të ndryshme, por megjithatë, shkaku kryesor është se në territorin e Ukrainës dhe rreth saj është shpalosur një lojë e madhe gjeopolitike, që ka ndjekur qëllimin kryesor: ndryshimin e drejtimit të zhvillimit të këtij vendi të madh evropian dhe shkëputjen e tij nga lidhjet natyrale tradicionale shumëshekullore me Rusinë. Një qëllim tjetër që përpiqen të arrijnë partnerët tanë perëndimorë, madje që nuk e fshehin, por e shpallin publikisht, është “frenimi” i Rusisë, e cila gjoja është bërë tepër e pavaruar dhe dinamike. Dhe rezultatet e një politike të tillë ne i shohim sot.
Grushti i shtetit antikushtetues në Kiev ndodhi në shkurt 2014 menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Presidentit Janukoviҁ dhe opozitës mbi rrugët e daljes nga kriza, të dakordësuar me mbështetjen e ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë. Dhe zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve, pas kapjes së pushtetit në Kiev nga regjimi i tanishëm me dominimin e nacionalistëve radikalë, e ka zhytur shoqërinë ukrainase në një situatë të paparashikueshmërisë politike dhe rrezikut real të shpërbërjes së shtetit.
Kur në shkurt 2015 u dakordësua dhe u miratua i ashtuquajturi Kompleks i masave për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut, ku u formuluan qartë detyrimet konkrete si të Kievit ashtu edhe të Donjeckut dhe Luganskut, kjo arritje u prit në botë me entuziazëm, me shpresën për zgjidhje të krizës ukrainase.
Megjithatë, që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se dy vjet, dhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe Rusinë, Kievi jo vetëm nuk i përmbushi detyrimet e marra përsipër, por e ka rënduar situatën, duke e ashpërsuar bllokadën çnjerëzore në thelb ndaj Republikave Popullore të Donjeckut dhe Luganskut, pra ndaj popullit të vet, i cili jeton në territorin e Donbasit.
Ne po e ndjekim me një shqetësim të madh kërcënimin e dukshëm të radikalizimit të veprimeve të dhunshme nga ana e Kievit për t’i zënë frymën rajonit juglindor të vendit. Në grykën e luftës civile tashmë janë vrarë më shumë se dhjetë mijë njerëz, ku pjesa më e madhe janë banorë të krahinave të Donjeckut e Luganskut. Mos vallë duhet të vazhdojë ky konflikt?
Ju keni të drejtë kur thoni se gjithçka po ndodh në sfondin e një lufte të pacipë mediatike kundër Rusisë, luftë kjo që praktikisht nuk zgjidh asnjë nga çështjet e dhimbshme lidhur me zgjidhjen e krizës ukrainase.
Përsa i përket qëndrimit të Moskës, ne vazhdojmë të kërkojmë me vendosmëri zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut të vitit 2015, me qëllim që çështjet dhe detyrat aktuale në fushën e sigurisë, në sferën politike, ekonomiko-sociale e humanitare të zgjidhen në kompleks dhe me dakordësinë reciproke të palëve konfliktuese, pra ashtu siç është përcaktuar në dokumentet e miratuara. Për arritjen e këtyre objektivave ekzistojnë dhe kanalet e asistencës ndërkombëtare: i ashtuquajturi “Format i Normandisë” me pjesëmarrjen e Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës, dhe Grupi i Kontaktit, ku punojnë si përfaqësues nga OSBE-ja, Rusia dhe Ukraina, ashtu edhe përfaqësues nga Donjecku dhe Lugansku, gjë që është më e rëndësishmja. Megjithatë, për të ecur me sukses drejt zgjidhjes së konfliktit duhet një angazhim i mirëfilltë, në radhë të parë nga ana e Kievit, gjithashtu dhe aftësia e tij për të ndërmarrë hapa konkretë pozitivë. Në të kundërt, tragjedia në Ukrainë vetëm do të përkeqësohet.

2. Me fillimin e krizës në Ukrainë u kthye mendësia e kohërave të luftës së ftohtë. A mendoni që sot në botë po fryjnë erëra të luftës së ftohtë, si në vitet 1970 dhe a do të ketë përfitim ndokush nga kjo situatë? Tashmë dihet, se ethet e garës së armatimeve në të kaluarën, sidomos mes dy superfuqive, SHBA dhe BRSS, si dhe atmosfera e përgjithshme globale kanë qenë burim i problemeve.
Nuk duhet shkuar kaq larg. Mund të kujtojmë fundin e viteve 1980-1990, kur vendi ynë, duke hequr dorë nga dogmat ideologjike, i propozoi komunitetit ndërkombëtar forma të hapura dhe të ndershme bashkëpunimi, me qëllim hartimin e parimeve të reja të rendit botëror. Çfarë morëm si përgjigje dihet mirë.
Në sfondin e përqafimeve miqësore dhe rrahjeve supesh, në shkelje të marrëveshjeve kryesore, të cilat nga mendjelehtësia për fat të keq nuk ishin fiksuar në dokumente, blloku i NATO-s filloi të zvarritej shpejt drejt lindjes. Interesat e shtetit rus filluan t’i gërryejnë sistematikisht jo vetëm nga jashtë, por edhe brenda shoqërisë sonë.
Dua t’ju sjell ndërmend se në atë kohë askush nuk formuloi ndonjë vlerësim të situatës së krijuar. Tani që Rusia është bërë më e vendosur në punët e saj të brendshme dhe të jashtme, shumë njerëz, me tone frikësuese, filluan përsëri të flisnin për “erërat e luftës së ftohtë”.

3. Shkëlqesia juaj, gjatë fushatës elektorale për president në SHBA, madje edhe pas mbarimit të saj u tha që Presidenti Trump mund të zbusë qëndrimin e Uashingtonit në marrëdhëniet me Rusinë, të pranojë rivendosjen e lidhjeve me Moskën. Meqenëse po zhvillojmë këtë intervistë, na shpjegoni cili është qëndrimi zyrtar i Moskës ndaj këtyre propozimeve?
Përsa u përket marrëdhënieve Rusi-SHBA, nga gjendja i të cilave me të vërtetë varet shumë, ne synojmë të punojmë me një objektiv të caktuar për përmirësimin e tyre deri në atë shkallë, për të cilën është e gatshme pala amerikane. Kryesorja këtu është mungesa e iluzioneve, efikasiteti dhe përfitime reciproke nga dialogu.

4. Sa ndikojnë ndaj Rusisë sanksionet e BE-së, të cilat u zgjatën në dhjetorin e kaluar edhe për 6 muaj të tjerë, si dhe sanksionet e vendosura nga SHBA-të? Dhe pyetja e dytë: ndonëse për këtë pyetje është deklaruar një qëndrim i unifikuar, a mendoni se të gjitha vendet-anëtare të BE-së janë me të vërtetë të kënaqur me këtë situatë? Për shembull diplomatë të disa vendeve evropiane kanë deklaruar, se i konsiderojnë sanksionet si “goditje ndaj vetes së tyre”, pasi këto sanksione shkaktuan edhe kundërsanksionet, të cilat kanë dëmtuar ekonominë e vendeve të Bashkimit Evropian.
Ne shpesh e përsërisim se vendosja e sanksioneve kundër Rusisë vetëm sa e stërvit atë. Duke marrë parasysh përmasat e vendit tonë, potencialin e tij dhe, kryesorja, karakterin kombëtar, përpjekjet për të na shkaktuar neve një dëm serioz janë të destinuara të dështojnë. Dhe në përgjithësi, të flasësh me këtë gjuhë me Rusinë është diçka e pakuptimtë.
Ju keni të drejtë se me kalimin e kohës dyshimet për ligjshmërinë dhe efikasitetin e sanksioneve shprehen gjithnjë e më shpesh si nga politikanët evropianë, ashtu edhe nga politikanë të tjerë. Çështja nuk qëndron vetëm te dëmi i dukshëm ndaj vetë vendeve të BE-së (edhe pse kjo është e rëndësishme), por edhe tek atmosfera e tensioneve dhe paparashikueshmërisë që favorizohet nga këto sanksione. Megjithatë, ne nuk kemi ndërmend të lutemi për ndonjë lëshim. Kështu që çështja për të ardhmen e sanksioneve qëndron kryesisht në fushën e përgjegjësisë së iniciatorëve të tyre.

5. Polonia dhe vendet Baltike shikojnë një rrezik real te Rusia, dhe duke mos kursyer fuqitë përpiqen ta nxjerrin atë si agresor potencial. Si mund ta komentoni një qëndrim të tillë? A kanë këto vende ndonjë arsye të fortë për të tilla shqetësime serioze?
Po të flasim për Poloninë, duhet pranuar se në këtë vend është ndezur artificialisht një mosbesim ndaj Rusisë, një frikë para saj, po ushqehen fobitë në lidhje me të ashtuquajturin “imperializëm të rilindur rus”. Jam i sigurt se ata që janë të interesuar në nxitjen e histerisë antiruse ndjekin një qëllim të caktuar, që është zhvendosja e vëmendjes nga problemet e brendshme tek armiku imagjinar. Gjithashtu dhe në njëfarë mënyre duhet t’i justifikojnë dhe shpjegojnë shoqërisë së tyre rritjen e potencialit ushtarak dhe realizimin e planeve për vendosjen në territorin polak të kontigjenteve ushtarake të SHBA-ve dhe NATO-s.
Sidoqoftë, nuk besoj që njerëz me mendje të shëndoshë në Poloni me të vërtetë mund të besojnë se nga Rusia do t’i vijë ndonjë rrezik. Pavarësisht përpjekjeve të udhëheqjes dhe medias së këtij vendi ne, ashtu si më parë, kemi shumë miq në mes të polakëve.
Për fat të keq, politika e Vilniusit, Rigës e Talinit kundrejt Rusisë, për një kohë të gjatë ka mbetur peng i ambicieve të forcave politike, të cilat përpiqen të zgjidhin problemet e tyre ditore, në sajë të formimit në vendet e tyre të imazhit të Rusisë si një shtet armik. Prandaj, çfarëdolloj pohimesh të pathemelta për rrezikun e “agresionit rus”, si dhe nxitja e psikozës ushtarake nuk përbëjnë një gjë të habitshme.
Duke spekuluar mbi temën e “ndryshimit të kushteve të sigurisë”, Vilniusi, Riga dhe Talini lobojnë aktivisht për forcimin e prezencës së përhershme të forcave të NATO-s në rajonin Baltik, duke kërkuar me këmbëngulje vendosjen e masave sa më të egra sanksionuese ndaj Rusisë, madje në dëm të interesave të tyre ekonomike.
Një qasje e tillë konfrontuese e bën të mundur vetëm frenimin e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe i kthen në pikën zero ato zhvillime pozitive, të cilat janë arritur jo pa mund në të kaluarën.
Në të njëjtën kohë, jemi gjithmonë të gatshëm, kuptohet në mënyrë reciproke, për rivendosjen e dialogut të ndërsjellë me vendet Baltike, me të cilat Rusinë e lidhin jo vetëm kufij, por edhe historia e përbashkët më shumë se njëmijëvjeçare.

6. Shkëlqesia juaj, do të ishte një rast i humbur nëse nuk ju pyesja në këtë intervistë për marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shqipërisë. Sipas mendimit tuaj, kush është pengesa kryesore për zgjerimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve tona, marrëdhëniet e të cilave, me thënë të drejtën, gjatë qeverisjes së partive komuniste kanë qenë shumë të ngrohta? Duke pasur parasysh që shqiptarët, si brezi i vjetër, ashtu edhe ai i ri, kanë respekt të madh për Rusinë dhe popullin rus, çfarë mund të bëhet për zgjerimin e kontakteve në formatin people-to people?
Historia e marrëdhënieve tona me Shqipërinë është e mbushur me ulje dhe ngritje. Nga miqësia deri në ndërprerjen e plotë të lidhjeve në vitin 1961. Është e vërtetë që edhe në kohët e sotme ka pasur momente jo të lehta. Një eksperiencë të tillë nuk ka asnjë vend tjetër në Ballkan. Për t’i kuptuar drejt këto mësime të historisë e rëndësishme është që shkaqet e të gjitha krizave në marrëdhëniet ruso-shqiptare kanë mbartur, siç dihet, vetëm një karakter subjektiv.
Aktualisht po punojmë bashkarisht me qëllim që ndjenjat e mira të respektit dhe miqësisë së ndërsjellë midis dy vendeve tona të rivendosen prapë.

32