/Liu Shifu/

Parathënie

Fillojmë me etimologjinë e fjalës anarki. Termi anarkizëm rrjedh nga bashkimi i fjalës greke ἀναρχία (anarkia) dhe prapashtesës ισμός ose ισμα (ismos ose izma). Anarkia (ἄναρχος, anarkos), që ka kuptimin “pa sundimtar” – nga parashtesa mohore ἀν (an që d.m.th. “pa”) dhe ἀρχός (arkos, pra “udhëheqës”, “sundimtar”). Nga kjo kuptojmë që anarkizmi nuk ka të bëjë me dhunën dhe kaosin, siç trumpetohet rëndom në diskursin publik, por është një filozofi politike e cila mëton të krijojë një botë pa sundimtarë, pra pa hierarki, dhe një shoqëri plotësisht të barabartë. Siç thoshte Emma Goldman-i, “anarkizmi kërkon çlirimin e mendjes së njeriut nga sundimi i fesë dhe trupit të njeriut nga shtrëngimet e pronës; çlirimin nga prangat dhe kontrolli i qeverisë. Ai kërkon një rend shoqëror të bazuar në bashkimin e lirë të individëve…”.

Mora përsipër përkthimin e një materiali të tillë i nxitur kryekëput nga disa takime të rastësishme me disa të rinj të cilët prezantoheshin si anarkistë bindje e ideologji dhe nga mungesa e dukshme e materialeve apo librave të përkthyer në gjuhën shqipe rreth këtyre ideve. Ajo që më bëri më së shumti përshtypje ishte elani me të cilin këta djem e vajza të reja kundërshtonin sistemin dhe rendin kapitalist. Të bindur se sistemi po na shfrytëzon si vegla të riprodhimit të vetvetes, se njeriu i sotëm është ‘trushpërlarë’ si pasojë e konsumerizmit dhe ndikimit të medias në jetën e përditshme dhe se të vetmit të cilët po përfitojnë nga kjo gjendje janë klasa sunduese apo, më mirë thënë, të pasurit (pra kapitalistët), ata shpreheshin se vetëm aktet radikale dhe të dhunshme mund të jenë zgjidhje. Pavarësisht se nuk ishin organizuar asnjëherë në ndonjë organizatë, sindikatë, protestë, aksion apo grupim të caktuar dhe nuk i kishin aspak idetë e qarta, ata ishin plotësisht të bindur në ato ide të vagullta që kishin. Zelli i shfaqur nga këta të rinj në kundërshtimin e rendit sundues ishte frymëzues, por mungesa e informacioneve dhe njohja e cekët e anarkizmit si filozofi politike ishin shqetësuese. Ndaj u bëra kurioz që të gjeja ndonjë përmbledhje në të cilën ishin të kopsitura parimet dhe idetë kryesore të ndonjërit prej anarkistëve më të shquar klasikë si: Proudhon, Kropotkin, Bakunin, Goldman, Galleani etj., dhe në kërkim e sipër rastisa në këtë material të shpërndarë në disa grupe anarkistësh në internet. Të përmbledhura në formë manifesti dhe të radhitura në mënyrë shumë të thjeshtë e të kuptueshme lehtësisht, më shkoi në mendje t’i përktheja këto parime e ide qoftë edhe sa për shpërndarje të brendshme midis këtyre anarkistëve të rinj.

Duke pasur parasysh kontekstin dhe periudhën kur është shkruar ky manifest, dua të theksoj dy gjëra rreth mënyrës se si duhet të lexohet ky tekst. Në vitet 1914, në prag të Luftës së Parë Botërore, në Kinë nuk mund të flitej ndryshe përveçse për një organizim militar e të dhunshëm, prandaj të gjitha thirrjet apo nxitjet për luftë, vrasje e krime duhet të lexohen plotësisht në raport me kontekstin kohor të shkrimit të këtij manifesti. Përveç kësaj, në kapërcyellin e shekujve XIX-XX edhe në Evropë fraksione të caktuara të anarkizmit propagandonin terrorin (ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit) duke e quajtur propagandë me vepra. Ide të gabuara sa më s’ka, të cilat çuan në venitjen e lëvizjes anarkiste së paku deri në Luftën Civile Spanjolle, kur anarkistët u dalluan për vetorganizimin e procesit të punës në fshatra e qytete.

Përmbledhja e strukturuar e ideve anarkiste – ide këto që nuk janë aspak ato që dëgjojmë sot në ligjërimin publik për shkak të stigmatizimit që i është bërë këtij termi – ka për qëllim vënien në pah të dashurisë që kanë anarkistët për botën dhe pastërtinë me të cilën ata projektojnë këtë botë të idealeve të tyre duke kundërshtuar pa kompromis rendin aktual sundues dhe rrezikuar shpesh që as të mos merren në konsideratë nga shoqëria, madje jo rrallë të gjenden edhe përballë penalizimeve të ndryshme ligjore e deri te linçimi nga rrethi shoqëror.

Prandaj mendoj që edhe shoqëria duhet t’i njohë sa më shumë këto ide (jo medoemos t’i përqafojë ato), pavarësisht mundësisë reale për zbatimin e tyre në praktikë, në mënyrë që të kuptojmë që anarkistët nuk janë njerëzit më të rrezikshëm të shoqërisë e as anarkizmi nuk është lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Përkundrazi, me plot bindje mund të them që anarkistët mund të jenë shembull për idealizmin e tyre dhe ne duhet të marrim mësim nga dashuria e tyre aq e sinqertë për botën, jetën dhe lirinë.

– Bislim Lakna

***

Gjatë jetës së tij të shkurtër, Shifuja (Liu Shifu, 1884-1915) mishëroi revolucionin anarkist në Kinë. Fillimisht braktisi studimet dhe iu bashkua Aleancës Revolucionare, lëvizjes republikane të udhëhequr nga Sun Jat Seni. U përfshi në një atentat më 1907 për të cilin u burgos dy vjet. Ai u njoh me idetë anarkiste në burg duke lexuar Drejtësinë Natyrale dhe Erën e Re. Pasi u lirua iu bashkua Trupave Vrasëse Kineze. Pas revolucionit të 1911, ai fitoi një pozicion të rëndësishëm në lëvizjen anarkiste, krijoi Shoqërinë e Ndërgjegjes dhe pastaj Shoqërinë e Agimit në Guanzhu, duke publikuar atë që më vonë do të njihej si gazeta anarkiste në Kinë, Zëri i Popullit. Më 1913 ai e riquajti veten Shifu dhe filloi të organizonte punëtorët (anarkistët ishin ndër të parët që organizuan punëtorët kinezë në sindikata). Më 1914 themeloi Shoqërinë e Shokëve Anarko-Komunistë. Manifesti i grupit, “Qëllimet dhe Metodat e Partisë Anarko-Komuniste”, u publikua te Zëri i Popullit në korrik 1914 në prag të Luftës së Parë Botërore. Ai shpërfaq ndikimin e Kroptkinit mes anarkistëve kinezë jo vetëm në respektin ndaj komunizmit anarkist, por edhe në lidhje me konceptin e tij të “ndihmës së ndërsjellë”. Shifuja vdiq nga tuberkulozi më 1915, por Zëri i Popullit vazhdoi të botohej deri më 1922. Shumë nga shokët e Shifusë vazhduan të luanin një rol të rëndësishëm në lëvizjen anarkiste kineze. Ky përkthim (nga gjuha kineze) u bë nga Edward S. Krebs, autor i biografisë përfundimtare të Shifusë: “Shifu, shpirti i anarkizmit kinez” (Lanham: Rowman & Little field, 1998).

– Robert Graham

Ç’është Partia Anarko-Komuniste?

Cilat janë qëllimet e Partisë Anarko-Komuniste? Ja tek i kemi me gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë:

1.Të gjithë elementët e rëndësishëm të prodhimit – toka, minierat, fabrikat, mjetet e bujqësisë, makineritë dhe të mirat e tjera – do të merren mbrapsht dhe do t’i rikthehen në pronësi shoqërisë; e drejta e pronës private do të çrrënjoset dhe paraja do të hiqet.

2.Të gjitha sendet e prodhuara i përkasin bashkërisht shoqërisë dhe ata që i prodhojnë duhet t’i përdorin ato falas. (Për shembull, ata që punojnë tokën mund ta përdorin atë dhe mjetet e kultivimit falas dhe nuk kanë nevojë të paguajnë qira ose të përdoren nga pronari; ata që punojnë në industri mund të përdorin falas makineritë për të prodhuar të mirat dhe nuk do të punësohen nga pronarët siç ndodh tani).

3.Nuk do të ketë klasa kapitalistësh dhe punëtorësh; të gjithë duhet të përfshihen në punë. (Profesione si bujqësia, ndërtimi, komunikimi, arsimi, mjekësia, përkujdesja ndaj fëmijëve dhe të gjitha llojet e tjera të nevojave në të cilat përfshihen njerëzit për të mundësuar jetesën konsiderohen punë). Çdo njeri, duke njohur se ç’punë i përshtatet apo ç’aftësi ka, do të punojë lirshëm pa shtypje e kufizime.

4.Produktet e punës – ushqimi, veshmbathjet, strehimi dhe gjithçka tjetër që është e përdorshme – të gjitha janë pronë e përbashkët e shoqërisë. Secili mund t’i përdorë ato falas dhe të gjithë do të gëzojnë krejt pasurinë e përbashkët.

5.Nuk do të ketë asnjë lloj qeverisjeje. Si ato qendrore, ashtu edhe lokale, të gjitha organizatat qeveritare do të hiqen.

6.Nuk do të ketë ushtri, polici ose burgje.

7.Nuk do të ketë ligje ose rregulla.

8.Të gjitha llojet e shoqatave publike do të organizohen lirshëm në mënyrë që të reformojnë të gjitha llojet e punës dhe të menaxhojnë të gjitha aspektet e prodhimit për të siguruar të mirat për masat. (Për shembull, ata që punojnë në bujqësi mund të bashkohen për të organizuar një shoqëri bujqish dhe minatorët mund të organizohen në shoqëri minerare). Këto organizata publike do të variojnë nga të thjeshtat te komplekset. Ato do të organizohen nga punëtorët në të gjitha llojet e punës dhe nuk do të kenë udhëheqës ose menaxherë. Kush do të marrë përgjegjësi do të konsiderohet njëlloj si punëtorët e tjerë dhe nuk do të ketë autoritetin t’i menaxhojnë të tjerët. Në këto shoqëri gjithashtu nuk do të ketë statute dhe rregullore që cenojnë lirinë e njerëzve.

9.Sistemi i martesës do të hiqet; burrat dhe gratë do të bashkohen lirshëm. Të sapolindurit do të trajtohen me kujdes në spitale publike. Bijtë dhe bijat e lindura do të marrin përkujdesje në çerdhet publike.

10.Të gjithë të rinjtë do të shkojnë në shkollë nga mosha gjashtë deri në moshën njëzetë ose njëzetepesë vjeçare. Si meshkujt, ashtu edhe femrat do të arrijnë nivelin më të lartë të të mësuarit në varësi aftësive të tyre.

11.Pasi të kenë mbaruar shkollimin si burrat, ashtu edhe gratë do të përkushtohen në punë deri në moshën dyzetepesë ose pesëdhjetë vjeçare. Pastaj do të dalin në pension në shtëpi të përkujdesjes për të moshuarit. Të sëmurët do të ekzaminohen dhe trajtohen në spitale publike.

12.Të gjitha fetë dhe besimet do të hiqen. Për sa i përket moralit, njerëzit do të jenë të lirë, pa detyrime ose kufizime; kjo do t’i mundësojë moralit natyral të “ndihmës së ndërsjelltë” të zhvillohet lirshëm deri në përmbushjen e vet.

13.Çdo njeri do të punojë më së shumti dy deri në katër orë në ditë. Në kohën e mbetur njerëzit do të jenë të lirë të studiojnë shkencën në mënyrë që të ndihmojnë në zhvillimin e shoqërisë. Për rekreacion ata mund të ndjekin artet e bukura dhe artet praktike për të zhvilluar aftësitë e tyre individuale fizike dhe mendore.

14.Në shkolla do të zgjedhim një gjuhë të përshtatshme ndërkombëtare, kështu që gjuhët dhe literaturat e ndryshme të çdo kombi do të zhduken gradualisht; e largëta dhe e afërta, lindja dhe perëndimi nuk do të kenë asnjë kufi.

Për të arritur këto qëllime, duhet të përdorim metodat e mëposhtme:

1.Të përdorim gazeta, libra, leksione, shkolla dhe metoda të tjera për të shpërndarë idetë tona mes njerëzve të zakonshëm në mënyrë që shumica e tyre të kuptojnë premtimin dhe plotësinë e parimeve tona, si edhe bukurinë e organizimit shoqëror në të ardhmen dhe të dinë se puna është detyra e natyrshme e njeriut dhe ndihma e ndërsjelltë virtyti i tij i pandarë.

2.Gjatë kohës së propagandës, të gjithë duhet të marrin në konsideratë rrethanat e kohës dhe të vendit në mënyrë që të përdorim dy lloje metodash; së pari, rezistenca, siç janë refuzimi për të paguar taksat ose pjesëmarrja në shërbimin ushtarak, grevat, bojkotimet dhe aksione të ngjashme si këto; së dyti, trazirat, përfshirë vrasjet, dhunën dhe metoda të tilla. Këto dy metoda, për të kundërshtuar autoritetin dhe shpërndarë parimet tona në mënyrë që të shpejtojmë rrjedhën e revolucionit duke e shpërndarë atë afër dhe larg, janë mënyrat për të shpejtuar dhe forcuar propagandën.

3.Revolucioni i madh popullor është përmbushja e propagandës; masat do të ndezin fitilin duke shkaktuar një incident për të rrëzuar qeverinë dhe kapitalistët dhe rindërtuar shoqërinë e duhur.

4.Revolucioni i madh popullor është një revolucion i madh botëror. Partia jonë do të bashkohet në të gjitha vendet, jo vetëm në një vend njëherësh. Tani është koha e propagandës: të gjithë shokët tanë duhet t’i ndjekin këto metoda varësisht rrethanave të vendeve ku janë dhe fuqisë që kanë në dispozicion. Pastaj kur kushtet të jenë pjekur, revolucioni i madh botëror do të fillojë, ndoshta në Evropë – mbase në Francë, Gjermani, Angli, Spanjë, Itali, Rusi ose ndonjë vend tjetër ku propaganda tashmë është përhapur shumë. Një ditë do të ndizet fitili, ndoshta disa shtete do të ngrihen njëherësh, ose ndoshta në vetëm një vend; pastaj vendet e tjera do ta marrin vesh dhe do të përgjigjen. Sindikatat do të godasin dhe ushtritë do të hedhin armët. Qeveritë e Evropës do të rrëzohen njëra pas tjetrës. Në Amerikën Veriore e Jugore dhe në Azi partia jonë do të bashkohet dhe do të ngrihet. Shpejtësia e suksesit tonë do të jetë e paimagjinueshme. Sot në Kinë asgjë nuk është më e rëndësishme se kjo, duke ia kushtuar përpjekjet tona maksimale propagandës në mënyrë që të parandalojmë mundësinë që të vijë dita që fitili të ndizet në Evropë e propaganda në Lindje të mos jetë pjekur; kjo do ta pengonte përparimin e botës.

Sa më sipër janë metodat për arritjen e qëllimeve tona. Nëse njerëzit kanë dyshime rreth parimeve tona, këto mund të vijnë vetëm për shkak se “ato janë të vështira për t’u zbatuar”. Ose janë të shqetësuar se morali i këtij brezi është i papërshtatshëm; nëse vjen dita që nuk do të ketë qeveri, sigurisht që të gjitha llojet e problemeve do të shfaqen dhe punëtorët do të mund të vidhnin të mirat e nevojshme për shoqërinë, ose mendojnë se me kaq shumë popullsi në tokë do të jetë e vështirë të arrihen masat me propagandën tonë dhe do të jetë e pamundur për një pakicë njerëzish në partinë tonë të përballojnë fuqinë e qeverisë në shumë vende. Këto janë ato dy zona dyshimi që i shqetësojnë më shumë njerëzit sot; shumica e njerëzve sot shqetësohen për këto dy lloj pyetjesh, të cilave po përpiqem t’u jap përgjigje:

1.Ne themi se për të realizuar shoqërinë e komunizmit anarkist duhet së pari t’i propagandojmë parimet tona dhe të arrijmë pajtueshmërinë e shumicës së njerëzve të zakonshëm. Nëse shumica e njerëzve e kupton bukurinë e këtyre parimeve, atëherë do të jetë e lehtë të përballohet minoriteti i pabindur. Pra, pse duhet të shqetësohemi?! Për më tepër, në anarkizëm njerëzit nuk do të kenë ndonjë problem serioz me zbatimin e moralit: ky nuk është asgjë tjetër përveç “punës” dhe “ndihmës së ndërsjellë”. Këto dy cilësi janë pjesë e kapacitetit të njeriut dhe nuk vijnë nga ndonjë frymëzim i jashtëm. Për të përmirësuar shoqërinë dhe shtyrë përpara kushtet e jetës tonë ditë pas dite deri aty ku duhet, morali natyral duhet të zhvillohet lirshëm. Dikur puna, madje edhe gjërat më të këndshme ishin kokëçarje dhe jo kushte zhvillimi si sot.

Me shkencën dhe shpikjet dhe pa kufizimet e parave, mund të përdorim makineritë për çdo gjë; pavarësisht detyrës, ne mund jemi më efiçentë, të kursejmë kohë dhe të ruajmë higjienën në punë. Kështu, me pak orë në ditë, e cila do të jetë si një praktikë e përditshme rutinë, mund të kryejmë të gjitha punët. Kështu që kush do t’i shmangej punës?! Me shpejtësinë e makinerive dhe numrin e punëtorëve, sasia e prodhimit do të jetë e paimagjinueshme. Mund të ketë vetëm tepri mallrash të nevojshme; nuk do të ketë probleme pamjaftueshmërie. Dhe pse do të donte dikush t’i vidhte këto të mira?! Nëse prapëseprapë ka njerëz që duan që dikush t’iu shërbejë dhe vetë të kënaqen pas një vakti të bollshëm, të tjerët do t’u kundërvihen me parimet e antiautoritarizmit dhe do t’i refuzojnë në shoqëri. Si mundet që një grup i vogël njerëzish të shkaktojë telashe?!

2.Çdo gjë që nuk përputhet me parimet universale has vështirësi në përhapje, ashtu sikundër çdo gjë që përputhet me to është e lehtë. Parimet universale të komunizmit anarkist gjejnë vend në ndërgjegjen e njerëzve. Pra si mund të jetë e vështirë t’i përhapim ato?! Sigurisht që forca jonë i shërben detyrës që kemi marrë. Pavarësisht se anarkizmi u shfaq në Evropë vetëm gjashtëdhjetë vjet më parë dhe vetëm përpara dyzet vitesh njerëzit e partisë filluan punën propagandistike, në çdo vend të Evropës gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, duke përparuar nga njëmijë milje në ditë. Grupet anarkiste po përhapen gjerë e gjatë dhe librat e gazetat shpërndahen gjithandej. Ajo që ne në Kinë e kemi marrë me entuziazëm të madh është tashmë kapele e vjetruar në Evropë. Në kongresin ndërkombëtar të anarkizmit të këtij viti në Londër u vendos krijimi i një organizate internacionale anarkiste. Revolucioni mbarëbotëror nuk është larg. Të gëzon edhe më shumë të kuptosh se, përveç kapitalistëve, në shoqërinë evropiane ka vetëm punëtorë. Sot, parimet e mëdha të socializmit dhe anarkizmit janë të rrënjosura thellë në mendjet dhe aktivitetet e partive punëtore. Qeveritë kanë kthyer sytë nga ushtria për të mbajtur situatën në kontroll, mirëpo milicitë popullore të çdo vendi janë të mbushura me punëtorë. Gjatë viteve të fundit kur qeveritë janë përpjekur të shtypin grevat, trupat ushtarake nuk i janë bindur komandës ose kanë ulur armët dhe u janë bashkuar punëtorëve: ata nuk do t’i sulmonin vëllezërit dhe shokët e tyre për hir të qeverisë. Dhe kur revolucioni i madh të fillojë së shpejti, ushtarët do të ngrihen kundër qeverisë – për këtë duhet të jemi të sigurt.

Pse duhet t’ua kemi frikën qeverive dhe kapitalistëve kanibalë?! Për sa i përket situatës aktuale në Kinë, pavarësisht se propagandimi i parimeve tona nuk është aq i përhapur sa në Evropë, nëse ne dhe shokët tanë në Azinë Lindore i bashkojmë planet, fuqitë dhe sakrificat për rreth njëzet vjet, duke u përpjekur maksimalisht për propagandë, guxoj të them se idetë tona do të përhapen anembanë Azisë Lindore. Në atë kohë, përparimi ynë në Evropë do të jetë edhe më i vështirë për t’u paramenduar. Koha e realizimit varet nga ne; mos mendoni se është ideal i parealizueshëm. Mjerisht retë e luftës kanë zënë çdo pjesë të Evropës dhe miliona punëtorë do të sakrifikohen për të pasurit dhe fisnikërinë. Ligësia e qeverisë ka arritur deri në këtë pikë dhe tani është krejtësisht e zbuluar! Dita kur armiqësitë do të pushojnë është dita kur do të shpallet dënimi me vdekje për qeverinë dhe kapitalistët. Atëherë vala e anarkizmit do të shpërthejë e do të zgjerohet. Ne premtojmë se njerëzit e zakonshëm të Azisë Lindore do të zgjohen nga ëndrrat e tyre dhe do të ngrihen me hov, ashtu siç besojmë se ata nuk do të vazhdojnë në prapambetje.

E përktheu Bislim Lakna

Imazhi: http://ronjoniak.org/blog/tag/anarchism/

Shënime:

Me këtë përkthim nuk dua të shpreh qëndrimet, idetë apo bindjet e mia. – Shënim i përkthyesit

Botuar për herë të parë në gazetën anarkiste kineze Zëri i Popullit, Nr. 17, gusht 1914

Marrë nga: https://libcom.org/library/goals-methods-anarchist-communist-party-1914/ OP

8