2 të plagosur nga shpërthimi në një pikë karburanti në Tiranë

Procesi i furnizimit me benzinë i një pike karburanti këtu në rrugën Bardhyl, nuk përfundoi mirë mesditën e kësaj të shtune, teksa në momentin që do të niste furnizimi ndodhi një shpërthim, i cili la të plagosur dy persona.

Njëri prej të dëmtuarve është menaxheri i  karburantit i Miklovan Çollaku dhe tjetri Myrti Kadiu, shoferi i autobotit që do të kryente furnizimin me benzinë. Të dy referuar burimeve janë jashtë rrezikut për jetën. Shenjat e shpërthimit të ndodhur rreth orës 13:30 dhe plagosjes së dy personave mbeten të dukshme për disa orë në vendin e ngjarjes.

Punonjës në bizneset pranë pikës së karburantit treguan për Tv Klan jashtë kamerave, se dëgjuan shpërthim dhe më pas tym që ishte përhapur në ajër.

Ndërkohë në një video amatore të filmuar, shoferi i autobotit tregon se ku ndodhi shpërthimi.

Gazetari: Kush është shoferi i kësaj ti je? Si ike ti?

Shoferi: Nga nxitimi o burrë se doja të dilja.

Gazetari: Kush shpërtheu? Ku ka marrë flakë, në çfarë vendi?

Shoferi: Atje tek depozita duhet të ketë marrë.

Gazetari: Tek depozita?

Shoferi: Jo, mori tubi atje tek vendi i shkarkimit, nuk mori nga depozita.

Gazetari: Ku? Mund të ma tregosh?

Shoferi: Këtu mori, sepse mori ne nuk…

Gazetari: Çfarë është kjo gaz apo çfarë është?

Shoferi: Benzinë është, këtu është nafta.

Si rezultat i shpërthimit autoboti është zhvendosur disa metra para duke përfunduar te shkallët e një biznesi. Makina u nxor pas disa orësh në përfundim të veprimeve hetimore.

Deri në këtë fazë të hetimit, grupi ka arritur të përcaktojë se shpërthimi ka ardhur nga pajisja e cila po furnizohej, por shkaqet janë ende të paqarta.

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, në bashkëpunim me zjarrfikëset dhe ekspertë në Policinë e Tiranës do të kryejnë ekspertimet e në pajisjet e karburantit për të kuptuar shkaqet e shpërthimit./Klan

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne